Gazeta Si – Kampionët e Europës dhe të botës mund të shpërbëhen në verë. Çelsi ka një grup lojtarësh që e kalon vlerën e 1 miliard eurove, por shumica e tyre mund të largohen, sepse e ardhmja e klubit mbetet e paqartë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Tomas Tuhel në fakt është në garë në të gjitha frontet dhe po lufton me krenari, pavarësisht se preket direkt nga sanksionet e qeverisë angleze. Në pritje për të njohur pronarët e rinj, lojtarët shohin drejt së ardhmes pa shumë besim për qëndrimin në “Stamford Bridge”.

Mbrojtësi Kristensen ka zgjedhur Barcelonën për 5 vitet e ardhshme, duke u larguar nga Londra me parametra zero. Të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe gjermani Antonio Rudiger, i cili pritet të firmosë me Juventusin për 4 vjet. Edhe Romelu Lukaku, për të cilin u paguan 115 milionë euro verën e kaluar, është me ‘valixhe në duar’. Belgu nuk ka marrëdhënie të mira me trajnerin Tuhel dhe nëse gjermani do të qëndrojë, sulmuesi mund të rikthehet tek Interi.
Për largimin nga Çelsi ka dalë hapur edhe Zhorzhinjo. Ai kërkon të kthehet në Itali, ku Juventusi duket më i favorizuar për momentin. Por në rastin e mesfushorit duhet pritur zyrtarizimi i pronarëve të rinj të Çelsit për të diskutuar në lidhje me ndërprerjen e mundshme të kontratës. Kante deshi të ikte që verën e kaluar, por në fund u bind të qëndronte. Këtë verë me siguri do të kërkojë largimin.

Spanjolli Markos Alonso, me kontratë deri në 2023-shin, është ndër më të kërkuarit në treg, ashtu si dhe sulmuesi Kai Havertz.
Në pronësi të Çelsit janë edhe shumë lojtarë të rinj në moshë, të cilët po shpërthejnë nëpër Europë dhe që kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha. Në krye të këtyre talenteve është Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, i huazuar te Sauthamptoni, për të cilin ka shënuar 6 gola në Premier Ligë dhe ka karakteristikat e një sulmuesi të fuqishëm.

Për shqiptarin interesimi është i madh, ekspertët e skautingut japin garanci dhe janë gati të vënë bast për të. Broja cilësohet si sulmuesi i së ardhmes dhe Milani dhe klube të tjera, sidomos në Angli, po e ndjekin me vëmendje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




