Treg

Supermarketet po shfarosin dyqanet e vogla të lagjeve

Është e vështirë që në lagjet pranë Sheshit “Wilson” apo në zonën e Ish-Bllokut të gjesh dyqane të vogla lagjeje, ndërsa hasesh lehtësisht me supermarkete të secilit prej zinxhirëve të mëdhenj që mesa duket, kanë nxjerrë jashtë loje dyqanet e pakicës të lagjeve të Tiranës.

E gjithë gara për konsumatorin është përqendruar më shumë në zonat pranë qendrës,aty ku dendësia e popullsisë është më e madhe e ku shitësit detyrohen të mbajnë çmime konkurruese duke ruajtur standardet si në cilësinë e produkteve ashtu dhe në shërbim.

Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri, konstatoi se supermarketet po njohin rritje të vazhdueshme duke lënë pas dyqanet e vogla, në një vend ku ekonomia informale është e lartë.

Miribane.B është një nga shitëset e cila prej gati tre vitesh tashmë është detyruar të mbyllte dyqanin e saj të vogël në lagjen “Ali Demi” të cilin e kishte hapur që në vitet 2000, pasi klientët e saj kishin nisur të ia rrëmbenin supermarketet e mëdha që u hapën aty.

“Dyqani im mund të ishte një dyqan i vogël lagjeje por puna ime niste shumë herët në mëngjes dhe përfundonte shumë vonë në darkë. Me këtë dua të them që kisha shumë punë edhe pse shisja vetëm artikujt bazë të shportës së ushqimeve, por mendoj që më ndikonte edhe vendndodhja pasi dyqanin e kisha buzë rrugës kryesore.”-tregon ajo për Gazetasi.al

“Ndryshe nga vitet e para, puna filloi që të binte dhe xhirot e fitimit u përgjysmuan.

Me hapjen e tre supermarketeve të mëdhenj,po e shihja që nuk ia vlente më të mbaja hapur dyqanin. Njerëzit po blinin gjithnjë e më rrallë dhe arriti një pikë ku nuk kisha mundësi për të bërë furnizimet e vazhdueshme. Supermarketet nuk i konkurroja dot më as në gamën e gjerë të produkteve por shpeshherë edhe në çmim, sepse shumë produkte atje shiteshin më lirë.”

Të njëjtin fat me këtë minimarket kishin edhe shumë dyqane të tjerë të vegjël që pohonin se në një treg kaq të mbipopulluar nga oferta, shpesh falimetimi është i pashmangshëm.

Ndonëse u zhvilluan vonë në tregun shqiptar dhe hovin e morën pas viteve 2000, rrjetet e supermarketeve janë ndër segmentet që po njohin gjithnjë e më shumë hapësirë për zgjerim dhe një pjesë e këtij zgjerimi në tregun vendas i atribuohet pikërisht “rrëmbimit” të konsumatorëve të dyqaneve të vogla.

 Sipas të dhënave nga INSTAT, bizneset që operojnë në tregtinë me pakicë kanë qenë në rënie për disa vite radhazi, të cilët edhe për shkak të formatimit të ekonomisë, nuk kanë mundur të mbijetojnë në treg.

Të gjitha dyqanet e vogla me pakicë të kontaktuara nga Gazetasi.al pranojnë se jo pak herë e kanë patur të pamundur të mbijetojnë me një normë të ulët fitimi deri mbi 10%-15% mbi xhiron dhe me rënien e fuqisë blerëse.

“Ecuria është e dobët ndërsa konkurrenca është e lartë. Njerëzit blejnë zakonisht vetëm ndonjë gjë të shpejtë por përgjithësisht trendin e kanë vetëm drejt supermarketeve tashmë.

Kam 10 vite që shes në këtë dyqan i cili më parë ka qenë i dikujt tjetër, por që kur u hapën këtu dy supermarkete, ai i Big Market dhe ai i Shans Market, puna ka rënë ndjeshëm.

Tani pres kush do vijë tek-tuk ndonjë kalimtar për cigare sepse punë si më parë nuk ka. Përveç supemarketeve, punën na e kanë marrë edhe kioskat e vogla që janë kudo rrugës. Na kanë penalizuar shumë”-tregoi për Gazetasi.al Fredi Bana, një shitës i një dyqani me pakicë pranë Pazarit të Ri.

Numri i njësive tregtare që operojnë në sektorin e shitjeve me pakicë sipas të dhënave ka nisur që nga viti 2013 ku ishin të regjistruara 35.9 mijë. Tani sipas të dhënave të fundit të disponueshme të vitit 2017, janë rreth 2 mijë njësi tregtare me pakicë më pak se 2013-ta.

Shqipëria është unike në Europë për peshën e lartë të shpenzimeve konsumatore për ushqime, me 45% të totalit, sipas Anketës të Buxhetit të Familjes dhe mesa duket, këto shpenzime po shkojnë gjithmonë e më shumë në arkat e supermarketeve.

“Deri para ca kohësh, pak supermarkete i kishin të përfshira edhe frutat e perimet, por tani pothuajse të gjithë prej tyre, qoftë brenda apo jashtë, i shesin ata.

Tregu ynë po varfërohet ditë pas dite nga konsumatorët që nuk po vijnë të blejnë më tek “Dinamo” por tani po i blejnë edhe frutat e perimet në supermarkete

Fuqia blerëse ka do vite që po bie.”-tregon për Gazetasi.al Viktor Kondatçiu, një shitës fruta-perimesh.

Gara për konsumatorin është kryesorja që po zhvillohet mes supermarketeve dhe dyqaneve të vogla por sipas aktorëve të tregut, konkurrenca e vërtetë është me ata që punojnë në informalitet dhe me konkurrencën e pandershme.

Drejtuesi i “Alb Market”, Çlirim Xhemollari thotë për Gazetasi.al se kjo është një ndër vështirësitë më të mëdha me të cilat është hasur tregu këto vite por tani që edhe në periferi po shihen biznese të vogla që presin kuponë tatimorë,gjërat duket se po ndryshojnë për mirë.

Ndërkohë, një shitëse pranë “Shans Market” pohon se fuqia blerëse në atë supermarket sa vjen e rritet më shumë sepse edhe produktet më të kërkuara europiane që nuk i gjën vërdallë në supermarkete të tjera, i has aty, e për këtë arsye, ky rrjet nuk ndikohet nga konkurrenca.

Viti 2015 deri tani shënon numrin më të lartë të njësive tregtare me pakicë të regjistruara, që në fakt përkon edhe me aksionin antiinformalitet ndërkohë që tregu sa vinte e pasurohej me rrjete të reja supermarketesh.

Dhe pikërisht, ky treg në zgjerim dhe numri i njësive tregtare në rënie janë tregues se qarkullimi po fillon të përqendrohet te më të mëdhenjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë