Pak shpenzime, largime të shumta, por edhe klube që bëjnë goditje në limitin e transferimeve. Merkato e janarit në kampionatin shqiptar është mbyllur zyrtarisht mesnatën e së premtes. Lëvizjet e bëra konfirmuan krizën financiare që po kalojnë klubet shqiptare të futbollit.
Plotë 106 lëvizje futbollistësh në 10 skuadrat e Superiores. Tirana riktheu në shtëpi Morinën dhe transferoi Sidiben. Kampionët e Partizanit transferuan nga rivalët e Tiranës Kërçikun dhe ‘’peshkuan’’ në Kategorinë e Parë, Tedi Carën nga Besa, ku në shkëmbim tek kavajasit u huazua Lucas Cardoso. Skënderbeu u përforcua me Eni Imamin, Belajdi Pusin, Niko Zisin dhe Elvi Berishën. Teuta afroi Ildi Grudën, Idé Colubali dhe goditjen kryesore shkodranin,Rubin Hebajn.

Laçi u përforcua me blerjen e Bedri Grecës nga Gjilani, Uendi Vecaj dhe pas një konflikti të gjatë me Luftëtarin, arritën të transferonin Donald Rapon. Me interes pritet transferimi i Dembakwi Yomba, i cili është formuar te akademia e Atletico Madrid. Bylis është padyshim kampionia e merkatos. Plot 8 futbollistë kanë firmosur me ballshiotët, që kërkojnë të ruajnë formën e treguar në fazën e parë.
Flamurtari, nuk mundi të federonte asnjë lojtarë, pasi FIFA u ka bllokuar merkaton. Për këtë arsye dështoi transferimi i Taiwo. Atëherë kur nuk pritej, FIFA zhbllokoi merkaton e Luftëtarit, që arritën të manovronin për të federuar lojtarë të rinj, përpara afatit përfundimtar. Vllaznia riktheu brazilianin Junior, kurse Kukësi afroi sulmuesin 22-vjeçar Godberg Cooper, një investim për të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




