Gazeta Si – Edhe Barcelona, ashtu si Real Madrid një ditë më parë, është kualifikuar për në finalen e Superkupës së Spanjës me penallti. Katalanasit mundën Betisin 6-4 me penallti (2-2 120 minuta lojë) dhe tashmë finalja e Superkupës së Spanjës do të jetë një ‘El Clasico’.
Në stadiumin “King Fahd” të Riadit skuadra e Ksavit e nisi mirë. Robert Levandovski humbi një rast të mirë, ndërsa në fundin e pjesës së parë polaku gjeti golin me polakun, pas një aksioni të Dembele. Nabil Fekir barazoi shifrat në pjesën e dytë, pas një asisti të Luiz Henrike.
Barcelona reagoi dhe gjeti sërish golin me të zakonshmin Levandovski, por arbitri sinjalizoi pozicion jashtë loje. Koha e rregullt u mbyll 1-1 dhe sapo nisën shtesat Ansu Fati realizoi me një goditje fluturimthi me të majtën. Por gëzimi i katalanasve zgjati pak.
Me një kryevepër Moron shtangu ter Shtegen dhe barazoi shifrat në 2-2. Para se të shkohej te penalltitë, Betisi mbeti me 10 vetë, pas ndëshkimit me të kuq të Andres Guardado. Nga pika e bardhë gabuan për Betisin Juanmi dhe Karvalho, duke i dhuruar Barcelonës finalen. Sfida me Real Madridin do të luhet më 15 janar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




