Futboll

Superiorja/ Vllaznia-Teuta, sfida “zjarri” mes kryesuesve

Ditën e sotme, rikthehet Kategoria Superiore. Java e 13-të nis me duelin Vllaznia-Teuta, përballja e parë për vitin 2021 në Superiore. Një duel shumë i fortë dhe interesant midis ekipeve që renditen në dy vendet e para.

Vllaznia është ekipi më i mirë në sfidat brenda shtëpisë teksa në gjashtë sfida në Loro Boriçi ka grumbulluar 15 pikë dhe do të tentojnë fitoren ndaj Teutës (20 pikë), i vetmi ekip që nuk është mposhtur akoma. Shkodranët do bëjnë të pamundurën për t’i shkaktuar bregdetarëve disfatën e parë sezonale në kampionat.

Aktualisht, durrsakët janë gjashtë pikë larg kreut dhe kanë mundësinë më të mirë për t’iu afruar Vllaznisë, ndërkohë që në këtë takim trajneri Edi Martini, vuan mungesën e mbrojtësit Todorovski. Nga ana tjetër, shkodranët në këtë ndeshje do të kenë pjesë të tyren edhe afrimin e merkatos nga Tirana, Albion Avdijaj, i cili zëvendëson Dungën. Sfida e fazës së parë që u luajt në “Niko Dovana” përfundoi pa gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë