Futboll

Superiorja shpall sot ekipin kampion, Partizani bën gati festën dhe fishekzjarret

Gazeta Si – E hëna e sotme do të shapallë ekipin kampion të Superiores. Luhet java e fundit e kampionatit, që do të japë të gjitha verdiktet, që nga kreu i tabelës së renditjes, zona europiane, ekipin e dytë që bie direkt dhe atë që shkon në play-out.

Partizani dhe Tirana kryesojnë me nga 64 pikë, me të kuqtë në vend të parë për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet direkt. Nuk pritet ndonjë befasi si ajo e Bundesligës në fundjavë. Sipas të gjitha gjasave, Partizani do ta ruajë këtë pozicion edhe pas ndeshjes me Teutën, madje mund t’u bëjë ndonjë ‘nder’ durrsakëve, nëse Tirana e sakatuar nga Komisioni i Disiplinës humb me Erzenin.

Nuk është sekret që te Partizani janë bërë gati për festën e madhe, kanë bërë gati fishekzjarret dhe shampanjën e titullit. Tiranës, duke përjashtuar ndonjë mrekulli, i duhet të pranojë vendin e dytë.

Teuta e vendit të 4-t mund të ketë sot në dorë një biletë Europe në një kampionat shumë të çuditshëm, ku deri pak javë më parë luftonte për mbijetesë. Shpresa për Europën kanë edhe Vllaznia dhe Laçi.

Bylisi, me pikën e fituar ndaj Tiranës në ndeshjen e fundit, me siguri ka firmosur edhe rënien në Kategorinë e Parë. Pret sot Vllazninë që shpreson te vendi i 4-t, por gjithçka varet nga rezultati i Erzenit, që me shumë mundësi do të marrë pikë ndaj Tiranës, të cilën ballshiotët e nxorrën nga trajektorja e titullit. Shijakasit janë skuadra me e kuotuar për të shkuar në play-out ndaj Korabit të Kategorisë së Parë.

Kukësi, për të shmangur çdo të papritur të pakëndshme, duhet të marrë pikë në fushën e Egnatias, që e ka siguruar Europën dhe po mendon për finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës.

Superiore, java e 36-të
Sot, ora 16:00
Partizani-Teuta
Erzeni-Tirana
Egnatia-Kukësi
Bylis-Vllaznia
Laçi-Kastrioti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë