Futboll

Superiorja rinis me një largim, Kukësi ndërron sërish trajner

Gazeta Si – Në Shqipëri është kthyer futbolli, pas ndërprerjes disajavore për shkak të Botërorit. Superiorja është kthyer sot me ndeshjet e javës së 13-të të saj, ku bie në sy humbja 0-1 e Kukësit në shtëpi ndaj Teutës.

Një rezultat që ka sjellë edhe dorëheqjen e trajnerit Enkeleid Dobi. Klubi verior e ka pranuar vendimin e trajnerit durrsak dhe për momentin ia ka besuar stolin ish-lojtarit kuksian, Rraman Hallaçi.

“FK Kukësi njofton se Enkeleid Dobi nuk është më trajner i ekipit tonë. Dobi ka paraqitur dorëheqjen pas humbjes ndaj Teutës, duke e mbyllur bashkëpunimin. Trajneri i Kukësit për ndeshjet në vijim do të jetë Rraman Hallaçi. Klubi e falënderon Dobin për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në karrierën e tij”, – shkruhet në njoftimin e klubit.

Kukësi ka pësuar humbjen e 4-t në 5 ndeshjet e fundit. Pritej që situata të ndryshonte me rinisjen e kampionatit, por nuk ndodhi kështu dhe Dobi nuk ka pritur më. Hallaçi është trajneri i tretë për këtë sezon, të cilin e nisi Skënder Gega dhe e vazhdoi Enkeleid Dobi, tashmë i larguar.

Një fitore të rëndësishme ka marrë sot Laçi, që fitoi 0-1 në fushën e Bylisit. Trajneri Gentian Mezani e ka nisur me sukses aventurën kurbinase.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë