Nga Gazeta ‘SI’ – Në më pak se një javë nga kthimi i Kategorisë Superiore në fushë, do të bëjmë një analizë të asaj çka ka ndodhur në 19 raundet e zhvilluara deri tani. E thënë ndryshe, kanë përfunduar dy fazat e para dhe është luajtur një raund nga faza e tretë.
Në total u zhvilluan 190 ndeshje, prej të cilave 57 janë fitore, po kaq humbje dhe 76 janë barazime, rezultati më i shpeshtë deri tani këtë sezon. Lajmi më i bukur është kthimi i Dinamo City-t në krye të klasifikimit. Skuadra e Ilir Dajës (edhe ky i kthyer pas disa sezonesh në Kategorinë Superiore) grumbulloi 15 pikë në fazën e parë dhe 16 në fazën e dytë. Ndërsa mundi 2-1 Egnatian në startin e të tretës.
Një total prej 34 pikësh dhe kryesim i kampionatit ku nuk ka qënë asnjëherë jashtë “Final 4”. Ky është sezoni i dytë rradhazi që në Kategorinë Superiore, gjithcka do të vendoset pas sezonit të rregullt dhe blutë kryeqytetas duan të përsërisin Egnatian.
Skuadra nga Rrogozhina është e para në historinë e futbollit shqiptar që fitoi gjithcka brenda një sezoni. Titullin në sezonin e rregullt, atë pas “Final 4” dhe Kupën e Shqipërisë. Sikur të mos mjaftonin këto, Egnatia fitoi pak ditë më parë edhe Superkupën e Shqipërisë. Sa më lart, duhet shumë punë jo vetëm nga Dinamo, por nga të gjitha skuadrat e tjera që të arrijnë rezultatet e skuadrës së Tetovës.
Pas 19 javëve ndjek Partizani, me një pikë më pak pas fitores së fazës së parë, vendit të 4 në të dytën dhe fitores ndaj Vllaznisë në startin e të tretës. Skuadra që drejtohet nga Veselinovic nuk ruajti vazhdimësinë në fazën e dytë, por edhe rivalët nuk përfituan për tu shkëputur. Kjo ju jep mundësi kryeqytetasve të mbeten në kontakt me kreun. Nëse nuk do të ishte për humbjen që pësoi në kryeqytet edhe Vllaznia do të kishte të njëjtin hap me Dinamo City-n me të cilën bashkëkryesoi dy fazat e para. Por siç mund ta kuptoni, diferencën e bën përballja direkte me “demat”.
Gjermano-kroati Berdaric është kthyer në krye të kuqebluve me një objektiv të qartë: Të fitojë atë çka i rrëmbeu në finish Teuta pak sezone më parë. E njëjta gjë vlen edhe për plurikampionët e Egnatias që ashtu si Vllaznia humbi në sfidën direkte në fund të vitit që lamë pas por mbetet brenda 4 vendeve të para. Që nëse do të jenë kështu deri në fund, të japin mundësinë të luash në “Final 4”. Ato që ndjekin janë 6 skuadra të tjera dhe jo më pak të njohura se kryesueset. Pas 19 javëve të zhvilluara ato ndahen nga 10 pikë.
Më mirë ka bërë AF Elbasani (e kthyer mes më të mirëve), ndërsa më keq Skënderbeu. Nuk po kalon një sezon pozitiv as Tirana që e filloi sezonin me Bledi Shkëmbin dhe po e vazhdon me Gugash Maganin. Bardheblutë që për ironi kanë edhe numrin më të madh të titujve të fituar e mbyllën fazën e parë në vendin e 7 me 10 pikë. Të dytën në vendin e 9 me 8 pikë dhe pas humbjes me Laçin në startin e fazës së 3, mbeten në vendin e 8 me 18 pikë. Një nga rastet e rralla që bardheblutë e fillojnë vitin kalendarik në luftë për mbijetesë.
Një nisje të dobët të sezonit bëri edhe Laçi por me italianin Moriero (ish lojtar i Inter dhe Italisë) duket se realiteti është tjetër dhe bardhezinjtë jo vetëm po shohin dritë në fund të tunelit, por gradualisht mund të shohin drejt zonës së Evropës. Një kantier i hapur është në Korçë, pak javë para fundit të vitit 2024, Ernest Gjoka mori vendin e Ivan Gvozdenovic. Traineri që fitoi titullin me Kuksin dhe Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin, ka marrë përsipër të shpëtojë të vetmen skuadër shqiptare që luajti dy herë në grupet e UEFA Europa League.
Sa i përket merkatos ajo është e hapur deri në fundin e Janarit, por skuadrat nuk kanë kohë të presin. Kategoria Superiore është pas derës, pak ditë pas saj duhet të luajnë edhe në Kupën e Shqipërisë. Në merkaton në hyrje Partizani ka marrë sulmuesin bjellorus që luajti 14 ndeshje me kombëtaren e tij. Dmitri Padstrelau u prezantua nga Drejtori Abilaliaj dhe firmosi për 18 muaj në kryeqytet. Nuk mbetet pas as Tirana që firmosi për dy sezone me liberianin 24 vjeçar Emmanuel Ernest. Ndërkohë tek Teuta, të afruarit janë dy, Mario Beshiraj dhe David Gjinollari. Ky i dyti pas një aventure të shkurtër në kampionatin kosovar.
Ndërsa në Korçë gjithçka lëviz rreth një emri, Rashica. Nëse për lojtarin dardan vjen një ofertë në kufijtë e 800 mijë eurove, drejtuesit janë gati ta shesin. Në të kundërt do të punohet vetëm në merkaton hyrëse. “Ujqërit e dëborës” kanë një model shpëtimi, jo shumë larg në kohë nga sot. Në sezonin 2020-2021 ata kishin vetëm 12 pikë pas 19 javëve, në përfundim u renditën në vendin e 7-të. Këtë sezon ata kanë një as nën mëngë, ndryshimin e rregullores sa i përket numri të lojtarëve të huaj të cilët nga data 1 Janar mund të jenë 7 në të njëjtën kohë në fushë. Një ndihmesë e madhe kjo për skuadrat që nuk gjejnë dot në tregun vendas lojtarët e nevojshëm për tu përmirësuar në pjesën e dytë të sezonit.
Ndërsa nga sezoni pasardhës numri i të huajve në Kategorinë Superiore do të jetë pa limit, e thënë ndryshe, mund të jenë 11 të huaj në fushë për një skuadër në Kategorinë Superiore. Në vend të mbylljes, java e 20 në Kategorinë Superiore do të zhvillohet nga data 10 Janar në dy ditë sipas këtij kalendari:
E Premte 10 Janar
Egnatia- Laçi 13:30
Bylis-Dinamo City 13:30
Vllaznia-Tirana 17:00
E shtunë 11 Janar
AF Elbasani-Teuta 17:00
Partizani-Skënderbeu 17:00
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.