Futboll

Superiorja në një orër, Tirana dhe Partizani sot në fushë me ‘kufje’ në vesh

Gazeta Si – Të gjitha ndeshjet e javës së 34-t të Superiores luhen sot në të njëjtin orar, në orën 16:00. Kështu shmangen pretendimet e çdo skuadre, që lufton për titullin, Europën dhe mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar. Kanë mbetur 3 javët e fundit dhe gara është e hapur në të dy kahet e tabelës së renditjes.

Tirana kryesuese luan në transfertë me Laçin dhe fitorja është detyrim për të shkuar te titulli, pasi Partizani, që pret Vllazninë, mund të përfitojë në çdo moment për ta parakaluar. Për këto dy skuadra vëmendja është te ndeshjet përkatëse, por është logjike që të ketë interesim për rezultatin e rivalit, kështu që sot do të luhet futboll edhe me ‘kufje’ në vesh.

Tirana feston nje gol te Kristal Abazajt. Gazeta Si, 21 maj 2023

Kampionët në fuqi vijnë nga dy ndeshje pa fitore, janë 2 pikë para Partizanit dhe sot kanë një skuadër më të plotë se në derbi. Në Laç nuk do të jetë aspak e lehtë, por titulli kampion i motivon bardheblutë për të dhënë gjithçka në fushë.

Partizani humbi një mundësi të mirë në derbi, ku nuk shkoi më shumë se barazimi, por nuk është dorëzuar për titullin. Të kuqtë ndeshen sot me Vllazninë e luhatjeve të mëdha dhe nisen si favoritë për fitore. Shkodranëve ndërkohë u duhen pikë për të shpëtuar sezonin me një vend në Kupat e Europës.

Garë ka edhe në fundin e tabelës, ku Bylisi shpreson ende te mbijetesa, aq më shumë po mundi Kukësin sot, një tjetër skuadër që këtë sezon lufton për qëndrimin në elitë.

Superiore, java e 34-t
Sot, ora 16:00
Laçi-Tirana
Partizani-Vllaznia
Bylis-Kukësi
Egnatia-Erzeni
Teuta-Kastrioti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë