Nuk ka kohë për të humbur dhe as për të shkuar jashtë Shqipërisë për fazë përgatitore në kushte më të mira, sepse ndeshjet fillojnë shumë shpejt. Nga sot skuadrat e Superiores i janë rikthyer fushës stërvitore për të vazhduar përgatitjet e sezonit, ndërkohë që vëmendja është te merkatoja, ku gara për të sitemuar diçka dhe për të mbushur “gropat” është shumë e fortë.
E tillë është specifika e merkatos së dimrit, ku alternativat janë të pakta, sepse lojtarët janë nën kontratë dhe klubet shqiptare nuk janë në gjendje të paguajnë për prishje kontrate, kështu që të gjithë duhet të luftojnë fort për atë pak mall të lirë. Po ashtu, nuk ka kohë për të bërë testime dhe lëvizjet kryhen me shpresën për të bërë “bingo”…

Klubet që janë larg objektivave, me në krye Partizanin dhe Dinamon, po përpiqen të rrëmbejnë elementët më të mirë që ofron tregu aktualisht. Partizani duket se ka fituar garën me blutë për Sherif Kallakun, ish-lojtarin e Teutës dhe Kombëtares, që u duk se do të bashkohej me Laçin fillimisht. Dinamo në anën tjetër ka siguruar Sabien Lilajn dhe sulmuesin Rexhinaldo.
Janë këto lëvizjet më të rëndësishme deri në këtë moment, ku shumica e skuadrave janë munduar të lirohen nga lojtarët që janë konsideruar si “të panevojshëm”, duke dashur të ulin shpenzimet dhe të krijojnë fondin për të investuar tani në janar. Egnnatia ka larguar thuajse gjysmën e skuadrës, por “firo” ka pasur edhe në shumë skuadra të tjera.

Kërkesat më të mëdha janë për sulmues dhe merkatoja është e orientuar jashtë vendit për ustallarët e golit, por duket e vështirë që të gjenden të tillë të lirë aktualisht. Teuta kampione në fuqi po kërkon medoemos një sulmues me përvojë, pasi ka larguar maqedonasin Giorgiev.
Eneo Bitri, ish-lojtari i Partizanit, ka prishur kontratën me Astanën në Kazakistan dhe mund të jetë një objektiv i disa skuadrave në Superiore. Për momentin beretasi është ende një lojtar i lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




