Futboll

Superiore/ Vllaznia tjetër sfidë vendimtare për titullin, Kukësi sfidon Apoloninë

Katër skuadra të Superiores zbresin sot në fushë për të luajtur aktin e 24-t të këtij sezoni. Luhen dy ndeshje dhe janë të programuara të nisin në të njëjtën orë, 13:00. Vllaznia do të presë në shtëpi Bylisin. Shkodranët mbeten në krye të klasifikimit me një pikë më shumë se ndjekësit e Teutës dhe Laçit, ndaj për të vazhduar ëndrrën titull duhet të rikthehen menjëherë te tre pikët që mungojnë prej katër takimesh.

4 ndeshje pa fitore dhe vetëm 1 sukses në 8 takimet e fundit nuk janë numra për një skuadër pretendente, megjithatë e shkuara i përket së shkuarës dhe një kampionat tjetër nis kundër Bylisit. Ndërkohë po aq rendësi sa ka kjo ndeshje për Vllazninë ka edhe për ballshiotët. Beteja për mbijetesë është e ndezur dhe Bylisit i është ngushtuar hapësira për të gabuar. Skuadra e Dovedan po kalon momentin më të mirë të sezonit, 2 fitore dhe 1 barazim në 4 ndeshjet e fundit, për momentin një vend i 8-të që do i jepte mundësinë të luante një finale për të qëndruar në elitë.

Ndërkohë, te triumfi pret të rikthehet edhe Kukësi. Verilindorët luajnë në Elbasan ndaj Apolonisë. Fierakët gjatë javëve të fundit kanë treguar se janë skuadër e rrezikshme dhe i kanë marrë rezultate pozitive të mëdhave. Kukësi vjen i vuajtur në këtë ndeshje, pasi në 4 sfidat e fundit kanë marrë vetëm 2 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë