Futboll

Superiore/ Vllaznia pret Teutën rivale në Shkodër, Partizani do pikët e para në Korçë

Vllaznia dhe Teuta ishin dy skuadrat që sezonin e shkuar luftuan deri në fund për titullin kampion në Superiore. Trofeu u takoi durrsakëve, ndërsa tani duket se këto dy skuadra do ta vazhdojnë garën aty ku e lanë, duke rivalizuar për vendin e parë.

Përplasja e parë për këtë sezon është kjo e sotmja në stadiumin “Loro Boriçi”, ku shkodranët synojnë revanshin. Ditët e fundit ka pasur edhe ngacmime në distancë mes palëve, ku presidenti Hsanbelliu i Teutës është shprehur se në skuadrën e tij ka më shumë shkodranë se te Vllaznia. Në anën tjetër, presidenti Xhaferi i Vllaznisë i ka bërë “presion” Teutës, duke deklaruar se atë e presin 11 luanë në Shkodër.

Si Vllaznia, ashtu edhe Teuta, e kanë fituar ndeshjen e javës së parë, madje ndaj kundërshtarëve të fortë, respektivisht ndaj Laçit dhe Partizanit. Shkodranët shënuan plot 5 gola në Laç dhe duket se sulmi i tyre këtë sezon, me Aralicën dhe Latifin, është i frikshëm. Teuta e Martinit, si gjithmonë, u shfaq një skuadër pragmatiste ndaj Partizanit dhe me këtë strategji do të shkojë edhe në Shkodër.

Nga nje ndeshje e sezonit te kaluar mes Skenderbeut dhe Partizanit. Gazeta Si, 18 shtator 2021

Ndeshja tjetër që zhvillohet sot është ajo mes Skënderbeut dhe Partizanit, që vijnë pas humbjeve të javës së parë. Korçarët kanë avantazhin e fushës, ndërsa Partizanit të Dajës nuk i falet një gabim i dytë radhazi, nëse pretendon titullin kampion këtë sezon. Pritet që në këtë ndeshje të ketë më shumë hapësirë për afrimet e fundit të të kuqve, Malën dhe Kaçen.

Abissnet Superiore, java e 2-të
Sot, ora 16:45
Skënderbeu-Partizani
Ora 19:45
Vllaznia-Teuta
Dje
Dinamo-Laçi 1-1
Nesër
Tirana-Egnatia
Kukësi-Kastrioti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë