Gazeta Si – Java e 6-të e Superiores nis sot me 3 nga 5 ndeshjet e saj. E gjithë vëmendja shkon te sfida Vllaznia-Egnatia, që luhet në stadiumin ‘Loro Boriçi’. Një ndeshje e rëndësishme për vetë faktin se Egnatia kryeson renditjen me 10 pikë, aq sa ka edhe Tirana.
Vllaznia duket në një moment të mirë dhe sot në mbrëmje ka një mundësi ideale për të marrë vendin e parë. Shkodranët kanë 8 pikë dhe do t’i parakalonin rrogozhinasit në rast të një fitoreje të mundshme. Trajneri Migen Memelli ka probleme me mungesat për shkak dëmtimesh, sidomos në mbrojtje.
Dy ndeshjet e tjera që luhen sot janë Skënderbeu-Erzeni, në orën 15:00 dhe Teuta-Kukësi në orën 20:15. Korçarët vijnë pas 3 humbjesh radhazi dhe duhet të reagojnë ndaj një Erzeni që befason në çdo moment.

Në stolin e Teutës do të debutojë sot trajneri Edi Martini, i cili ka marrë vendin e Longos pak ditë më parë. Martini e njeh mjaft mirë ambientin te skuadra durrsake, ku u shpall kampion pak sezone më parë. Mundësitë e debutimit me fitore janë të mëdha, pasi Teuta ndeshet me Kukësin e vendit të fundit.
Ndeshja Laçi-Dinamo City luhet të enjten, kurse derbi Partizani-Tirana është shtyrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




