Futboll

Superiore/ Tirana dhe Kukësi favoritë, gati për shkëputjen që sot nga rivalët

Java e dytë e Abissnet Superiore mbyllet me dy ndeshjet e sotme, Tirana-Egnatia dhe Kukësi-Kastrioti. Janë dy ndeshje të lehta në letër për Tiranën dhe Kukësin, që kanë mundësinë të shkojnë në 6 pikë sot, duke u shkëputur nga rivalët e tyre në garën për titull. Egnatia dhe Kastrioti vijnë nga humbjet e javës së parë dhe përballë këtyre dy kundërshtarëve do ta kenë të vështirë të reagojnë.

Tirana luan ndeshjen e dytë radhazi në fushën e saj dhe pasi mundi 4-2 Skënderbeun, pritet të marrë edhe sot trepikëshin. Trajneri Shehi ka pasur disa vështirësi gjatë javës sa i takon mbrojtjes, por gjithsesi i ka alternativat për formacionin. Majkëll Ngo, autor i 2 golave në javën e parë, do të jetë pika e referimit për bardheblutë në këtë ndeshje.

Ngo feston nje gol te shenuar ndaj Skenderbeut. Gazeta Si, 19 shtator 2021

Përballë Tiranës do të jetë ish-trajneri i saj, Gugash Magani, i cili drejton Egnatian. Trajneri peqinas i njeh mirë bardheblutë, megjithatë ka diferenca mes dy skuadrave. Rrogozhinasit kanë bërë disa lëvizje në merkato, por e nisën me humbje kampionatin në fushën e tyre, ku u mundën nga Kukësi, që sot ndeshet me Kastriotin.

Kuksianët janë ekipi pritës, por ndeshja do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Skuadra e drejtuar nga trajneri Longo është interesante dhe që javën e parë tregoi se do të rivalizojë për titullin. Krutanët në krahun tjetër u mundën javën e parë nga Dinamo, duke treguar dobësi në lojën e tyre.

Në tri ndeshjet e para të javës së dytë nuk ka pasur asnjë fitues, të gjitha u mbyllën me rezultatin 1-1, ndërsa sot pritet që Tirana dhe Kukësi ta prishin këtë rregullsi.

Abissnet Superiore, java e 2-të
Sot
Tirana-Egnatia
Kukësi-Kastrioti
Të shtunën
Skënderbeu-Partizani 1-1
Vllaznia-Teuta 1-1
Të premten
Dinamo-Laçi 1-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë