Laçi-Dinamo dhe Teuta-Vllaznia janë dy ndeshjet që çelin javën e 11-të të Abissnet Superiores. Janë të dyja sfida rivalësh direkt për zonën europiane dhe për titullin kampion.
Laçi i trajnerit Mirel Josa e mori veten pas atij fillimi të dobët të sezonit, por në ndeshjen e fundit u mund në Shkodër nga Vllaznia. Sot ka një mundësi të mirë të kthehet te fitorja, aq më tepër që i kthehen dy lojtarë me peshë, si Lushkja dhe Mazrekaj. Dinamo në anën tjetër është dukur një skuadër me oshilacione deri tani, pavarësisht investimeve që ka bërë.

Teuta nuk e ka ende gati shtëpinë e saj, stadiumin “Niko Dovana”, kështu që Vllazninë do ta presë në “Elbasan Arena”. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat për vazhdimësinë e kampionatit.
Në stolin e Teutës debuton trajneri Renato Arapi, i cili mori drejtimin e kampionëve në fuqi pas largimit të Edi Martinit. Vllaznia mban vendin e tretë dhe do të përpiqet të përfitojë nga fakti që ndeshja luhet në fushë asnjanëse për të marrë 3 pikët dhe për të rritur presionin te Kukësi dhe Tirana, që kryesojnë renditjen.
Java e 11-të e Suiperiores vazhdon të shtunën me tri ndeshjet e tjera, Egnatia-Tirana, Kastrioti-Kukësi dhe Partizani-Skënderbeu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




