Futboll

Superiore, sot luhet për Europën dhe ‘Këpucën e Artë’

Gazeta Si – Java e 34-t e Superiores zhvillohet e gjitha sot, në orën 17:15. Në 5 ndeshjet që luhen gjatë pasdites, vëmendjen e marrin ato, ku do të luftohet për Europën dhe ‘Këpucën e Artë’. Janë duele të rëndësishme në distancë.

Në kryeqytet luhet klasikja Tirana-Vllaznia. Një ndeshje që i ka brenda të dy objektivat. Vllaznia kërkon pikë për Europën, kurse Tirana gola për ‘Këpucën e Artë’ të Taulant Seferit. Sulmuesi i bardhebluve, tashmë kampionë, është në garë me Guindo të Laçit për çmimin individual.

Vllaznia është finaliste e Kupës, por aty nuk ka asgjë të sigurt ndaj Laçit. Shkodranëve u duhen pikë për të kapur Europën nga kampionati, që duhet ta mbyllin të paktën në vend të 4-t.

Nga nje ndeshje mes Tiranes dhe Vllaznise. Gazeta Si, 14 maj 2022

Te Tirana e kanë thënë hapur se do të luftojnë për sulmuesit Taulant Seferi dhe Redon Xhixha. I pari ka mundësi për të fituar ‘Këpucën e Artë’ dhe sot do të kërkojë të shtojë të tjerë gola në renditjen e shënuesve më të mirë.

Laçi i Guindo, rivalit të Seferit në garën për ‘Këpucën e Artë’, luan në Korçë. Ndaj Skënderbeut të rënë laçianët do ta kenë më të lehtë të fitojnë dhe të shënojnë gola me sulmuesin e tyre kryesor, Saliu Guindo.

Për Europën luajnë edhe Partizani dhe Kukësi. Të kuqtë, pas humbjes në derbi, shkojnë në fushën e Egnatias, kurse Kukësi pret Dinamon. Është një duel i hapur mes të dyve dhe në këto ndeshje bën punë vetëm fitorja.

Dinamo sot me shumë mundësi do t’i thotë lamtumirë zyrtarisht Superiores. Egnatias i duhet vetëm një pikë për të shkuar në ‘play-out’ dhe më pas për të siguruar qëndrimin në elitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë