Futboll

Superiore/ Partizani “mat forcat” me Kukësin, Vllaznia ka shansin e shkëputjes

Sot luhen ndeshjet e fundit së javës së 20-të, të cilat janë përballje rivalësh direkt, ndërsa Vllaznia kryesuese ka mundësinë për të krijuar distancë më të madhe pikësh me ndjekësit, nëse mund Skënderbeun.

Shkodranët luajnë në Korçë dhe po kalojnë një moment shumë mirë, kurse korçarët janë në krizë. Edhe ndeshjen e fazës së parë e ka fituar Vllaznia, që sot, në rast fitoreje, mund të përfitojë për ta thelluar diferencën prej 7 pikësh që ka aktualisht me Teutën. Te korçarët mungon mbrojtësi Bajrami për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Teutës. Ndërsa Vllaznia ka katër mungesa të sigurta. Imami, Isaevski dhe Imeri janë të pezulluar nga kartonët, ndërsa Marku është i dëmtuar. Në dyshim është edhe qendërmbrojtësi Mevlan Adili, i cili nëse nuk ia del, e çon në pesë numrin e mungesave te shkodranët.

Krye-ndeshja e javës së 20-ë është ajo mes Partizanit e Kukësit, e planifikuar për t’u luajtur në orën 16:00 në impiantin “Elbasan Aena”. Një sfidë mes rivalësh të cilët do të përballen për herë të tretë për këtë sezon futbollistik, e janë verilindorët që kërkojnë revanshin pas dy humbjeve të para me rezultatet 0-2 dhe 4-1. Të dy skuadrat gëzojnë një formë mjaft të mirë dhe kanë organika nga më cilësoret në kampionat, ndaj 90-minutëshi i sotëm pritet të jetë i luftuar dhe i hapur deri në fund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë