Futboll

Superiore/ Ndeshje të mbushura me emocione, Vllaznia dhe Kukësi presin kthesën

Kategoria Superiore zbret e gjitha në fushë të dielën, me 5 ndeshje që në letër garantojnë rivalitet të madh për vetë momentin delikat ku është futur tashmë kampionati. Një nga takimet që spikat më së shumti është sfida mes Partizanit dhe Teutës. Djemtë e Detit dhe të kuqtë janë në të njëjtën kuotë pikësh, 42, ndërsa pretendojnë titullin në këtë sezon. Kjo do të jetë përplasja e tretë e ekipve për këtë sezon, teksa dy të parat kanë përfunduar në barazim 0-0 dhe 1-1.

Në orën 13:00, do të luhet supersfida mes Laçit dhe Tiranës. Pritet të jetë një takim mjaft i luftuar, duke parë pretendimet që kanë skuadrat në kampionat. Kurbinasit synojnë fitoren për të ruajtur vendin e parë, por nga ana tjetër do të fuste në një presion të madh edhe rivalët direktë, që luajnë vetëm 60 minuta më pas në “Elbasan Arena”. Ndërsa nga ana tjetër, bardheblutë kërkojnë fitoren për të kapur një vend në Europë.

Partizani-Teuta është praktikisht kryendeshja e javës, me të kuqtë që vijnë pas eliminimit mes polemikave në Kupë ndaj Laçit dhe durrsakët që u kualifikuan pasi mposhtën Kukësin. Për “demat” është momenti i së vërtetës, për të bërë pikërisht diferencën nga rivalët. Nga ana tjetër, “djemtë e detit” janë skuadra që ka pësuar vetëm 2 humbje në kampionat dhe që pëson më pak gola se të gjitha ekipet.

Kastrioti pret Vllazninë në stadiumin e “Kamzës”.  Një përballje që do të thotë shumë për shkodranët, pasi fitorja do t’i shërbente për të ngritur moralin, pas një serie rezultatesh negative. Ndërsa, krutanët janë disi më të qetë, pasi kanë një diferencë pikësh nga vendi i 8-të që të çon në play-off. Kukësi luan në “Adush Muça” ndaj Bylis. Sfida e mbijetesës do luhet në “Loni Papuçiu”, me Apoloninë që ndeshet me Skënderbeun. Aktualisht, fierakët janë një pikë para korçarëve, në vendin e parafundit dhe një trepikësh do të bënte që ekipi të fitonte më shumë siguri për të tentuar vendin e tetë. Gjithsesi, juglindorët në ndeshjet e fundit kanë treguar shenja jete dhe se nuk do të dorëzohen deri në fund.

Ndeshjet:

13:00 Apolonia-Skënderbeu

13:00 Bylis-Kukësi

13:00 Kastrioti-Vllaznia

13:00 Laçi-Tirana

16:00 Partizani-Teuta


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë