Futboll

Superiore/ Faza e tretë rinis me Teuta-Skënderbeu

Superiorja rikthehet sot (12 dhjetor). Nis faza e tretë dhe Teuta pret në shtëpi Skënderbeun, ku të besuarit e trajnerit Edi Martini janë të dënuar të fitojnë, kurse për korçarët pikët janë jetike. “Djemtë e detit” vijnë pas fitores minimale 1-0 ndaj Apolonisë, që i ka çuar në kuotën e 30 pikëve, 7 më pak se Vllaznia kryesuese, por që të vijojnë të pretendojnë për titull, janë të dënuar të fitojnë ndaj korçarëve.

Ndërkohë, nga ana tjetër korçarët mbeten në periudhë negative, ndërsa tashmë me trajnerin Migen Memelli në ndeshjen e dytë si trajner te bardhekuqtë, presin një reagim duke qenë se ekipi rrezikon gjithnjë e më shumë mbijetesën në elitë. Këta të fundit po kalojnë një moment mjaft të vështirë, pasi pozicionohen në vendin e fundit me 12 pikë dhe rrezikojnë seriozisht rënien një kategori më poshtë.

Ndeshja e fazës së parë mes këtyre skuadrave në Durrës ka përfunduar në barazim 1-1, ndërsa takimi i fazës së dytë në Korçë, është mbyllur me fitoren e Teutës, 1-3. Të shtunën do të luhen 4 ndeshjet e tjera, të cilat janë shpërndarë në dy fasha orare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë