Dinamo dhe Kukësi ndeshen sot në “Air Albania” për javën e 7-të të Abissnet Superiores. Është takimi i parë historik për këto dy skuadra në elitën e futbollit shqiptar. Në vitin 2012, kur Kukësi u ngjit në këtë kategori, Dinamo ra prej saj dhe u rikthye pikërisht këtë sezon.
Të dyja këto skuadra kanë pretendime për titullin dhe në “Air Albania” parashikohet një 90-minutësh i fortë rivalësh. Kukësi drejtohet nga një trajner italian, Diego Longo, i cili i ka dhënë një fizionomi të re lojës së skuadrës, që mban vendin e 3-të pas 6 javësh, me pikë të barabarta (11) me Teutën e vendit të dytë.

Edhe Dinamo, përtej vështirësive që krijon mungesa e gjatë në elitë, është përpjekur të jetë në lartësinë e emrit. Ka investuar shumë për skuadrën e re, ka riorganizuar çdo hallkë të klubit dhe aktualisht mban vendin e 5-të në renditje, me 9 pikë.
Java e shtatë e kampionatit vazhdon me të shtunën me ndeshjet Laçi-Skënderbeu dhe Vllaznia-Tirana, për t’u mbyllur të dielën me Partizani-Egnatia dhe Teuta-Kastrioti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




