Futboll

Superiore/ Derbi i Tiranës rrëmben vëmendjen, Teuta dhe Laçi për të parakaluar Vllazninë

Java e 24 e Kategorisë Superiore do të mbyllet në ditën e sotme teksa vëmendjen kryesore do ta rrëmbejë derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Tirana luan finalen e madhe për të hyrë në garë për titullin. Bardheblutë do korrnin suksesin e katërt radhazi, nëse fitojnë sot. Nga ana tjetër Partizani vjen pas një barazimi me Apoloninë e një humbje shokuese me Skënderbun dhe do tentojë pikën e kthesës sot ndaj rivalëve të urryer të qytetit.

Tirana vjen me grupin e plotë, pasi janë rikuperuar edhe lojtarët e dëmtuar teksa mbetet për t’u parë nëse janë gati të nisen si titullarë futbollistë si Batha, Cale apo dhe Torassa. Edhe tek Partizani grupi është i plotë me Stenio Junior që është kthyer në dispozicion të trajnerit Ilir Daja. Ky derbi mund të vendosë shumë për skuadrat, ndërkohë dy përballjet e kaluar të këtij sezoni kanë përfunduar një në barazim dhe një tjetër me sukses për Partizanin.

FORMACIONET E MUNDSHME

TIRANA (3-4-3): Bekaj – Toshevksi, Behiratche, Hoxhallari – Halili, Batha, Çelhaka, Ismajgeci – Torassa, Cale, Seferi. Trajner: Orges Shehi

PARTIZANI (4-3-3): Hoxha – Mala, Bitri, Belica, Hakaj – Broja, Murataj, Bardhi – Asani, Çinari, Cardoso. Trajner: Ilir Daja

Po në orën 13:00, në Korçë, Skënderbeu do të presë Laçin, me synimin për të marrë një tjetër rezultat pozitiv dhe për të rritur shpresat për mbijetesë. Korçarët mposhtën befasisht Partizanin fundjavën e kaluar dhe ndaj kurbinasve do të kërkojnë një tjetër rezultat shpresëdhënës. Nga ana tjetër kurbinasit, kanë shansin të marrin kryesimin dhe të kalojnë në renditje Vllazninë.

Një tjetër skuadër që dëshiron të përfitojë nga hapi fals i Vllaznisë dhe të marrë kreun e renditjes, është edhe Teuta, që do të presë në orën 16:00 Kastriotin në stadiumin “Niko Dovana”. Bregdetarët vijnë pas një hapi fals në Ballsh ndaj Bylisit dhe do të synojnë vetëm 3 pikët ndaj Kastriotit, që pas një rehatie në renditje, ka filluar të shqetësohet sërish, pasi skuadrat poshtë saj po vijojnë të marrin rezultate pozitive e të afrohen.

Ndeshjet:

13:00 Tirana-Partizani

13:00 Skënderbeu-Laçi

16:00 Teuta-Kastrioti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë