Gazeta Si – Një super mashtrim financiar ka turbulluar këto ditë futbollin turk në emër të ‘Fondit Terim’, trajnerit që ka drejtuar klube të mëdha, si Gallatasaraji, Fiorentina dhe Milan.
Një ish-drejtues banke rrezikon 226 vite burg, pasi ka grumbulluar rreth 40 milionë euro në një fond dhe më pas është zhdukur. Mes viktimave të këtij maksi mashtrimi janë edhe emra të njohur të futbollit turk, me në krye Fatih Terim. Pikërisht emrin e tij ka marrë edhe fondi fantazmë.

Të tjerë emra që kanë rënë pre e mashtrimit janë ish-mesfushori i Interit, Emre Belozoglu, ish-lojtari i Barcelonës dhe Atletiko Madridit, Arda Turan, si dhe portieri uruguaian i Gallatasarajit, Fernando Muslera.
Më i godituri në këtë histori është Turan, që ka humbur më shumë se 13 milionë dollarë. “Paratë e kursyera nga djersa ime në fushë prej vitesh u zhdukën papritur”, – ka thënë ish-lojtari. Premtimi për përfitime në mbi 40% në bazë javore ka joshur shumë futbollistë të rinj.
Në Turqi ka bërë shumë përshtypje fakti që mes atyre që janë vjedhur figuron një ‘dhelpër e vjetër’, si Terim. Në rrjetet sociale turke nuk mungojnë shigjetimet në lidhje me këtë çështje.

E hetuara kryesore për këtë mashtrim, Secil Erzan, përdorte emrin e Fatih Terim për të bindur futbollistët në lidhje me besueshmërinë e investimit. Si Turan, ashtu edhe Emre dhe Muslera kanë qenë nën urdhrat e trajnerit karizmatik. Terim, me anë të një komunikate, ka pranuar se e njeh Erzan prej vitesh, por ka mohuar çdo formë përfshirjeje në atë që ka ndodhur. Ai ka pohuar gjithashtu se ka humbur rreth 3 milionë euro.
Këtë e konfirmon edhe fakti se emri i Terim nuk figuron mes të akuzuarve të procesit të nisur pak ditë më parë. Skandali ka shkaktuar një furtunë në Turqi, duke shkuar deri te presidenti Rexhep Taip Erdogan. Emre Belozoglu dhe Arda Turan, të cilët kanë një raport personal me liderin turk, e kanë kontaktuar privatisht dhe i kanë kërkuar të ndërhyjë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.