Pas fjalëve, ja ku vijnë edhe faktet. Franca e Emmanuel Makron nuk është mjaftuar vetëm me kundërshtimin e Super Ligës, por po përgatit edhe “armët” për të mos lejuar që futbolli të bjerë në duart e disa klubeve të pasur, që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për një lumë parash. Po punohet tashmë për një normë europiane që përcakton përjashtimin e sportit, duke limituar lirinë e biznesit, siç bën me dije “Le Parisien”.
Praktikisht, edhe futbolli do të përfundonte në një zonë eskluzive me norma alternative me ato që rregullojnë aktivitetin tregtar. Një përjashtim, që Franca synon ta aplikojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2022.
“Bëhet fjalë për të përcaktuar një legjislacion europian që do të ndihmonte në forcimin e strukturave ekzistuese”, – bëjnë me dije zyrat qendrore të qeverisë franceze. Nuk është e qartë, nëse kjo iniciativë mund ta bllokojë ligjërisht Super Ligën, por tregon se Makron ka në plan të ndërhyjë në botën e futbollit. “Duhet vepruar më shpejt, duke ushtruar presion politik dhe duke e detyruar UEFA-n të marrë masa radikale”, – ka thënë ai.

Klubet që themeluan Super Ligën ndërkohë duket se kanë filluar të përçahen dhe janë gati të tërhiqen. Bëhet fjalë për klubet angleze. Çelsi, Mançester Siti, Mançester Junajtid, Arsenali, por edhe Liverpuli dhe Totenhemi janë gati ta braktisin projektin. Drejtuesit e Mançester Sitit u kanë dërguar një letër klubeve të tjera për tërheqjen, ndërsa protesta e tifozëve të Çelsit, të mbledhur para stadiumit “Stamford Bridge”, ka bindur presidentin Roman Abramoviç të bëjë hapa prapa.
Në këtë rrugë janë edhe Mançester Junajtid dhe Arsenali. Me shumë mundësi, të gjitha klubet angleze do të njoftojnë zyrtarisht tërheqjen. Ed Vuduard ka dhënë dorëheqjen nga detyra e zëvendëspresidentit ekzekutiv të Mançester Junajtid. Sipas shtypit anglez, Çelsi, Siti, Junajtid dhe Arsenali po përgatisin dokumentet për ta lënë Super Ligën. Polemikat, zemërimi i tiofozëve, por veçanërisht kërcënimet e UEFA-s, kanë bërë që gjërat të ndryshojnë dhe Super Liga duket se po “mbytet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.