Futboll

Super buxhet, staf ‘XXL’, merkato, mjek i huaj dhe psikologe për rilindjen e Dinamos

Fatjon Rupi – Si shpërblim për ato vuajtje të mëdha që kaloi për më shumë se një 10-vjeçar, duke mbijetuar në ndonjë rast edhe për mëshirë, duket se Zoti ka vendosur t’i bëjë një surprizë të bukur Dinamos. Klubit të dytë më të titulluar në vend, endacak pasi e përzunë nga shtëpia që ia kishin zili të gjithë (sot zyrat e FSHF-së dhe fushat e stërvitjes së Kombëtares), i është hapur dera e ‘parajsës’.

‘Është fat shumë i madh, ende nuk më besohet’ – thotë për Gazeta Si presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, duke iu referuar projektit të ri, që sapo ka nisur të konkretizohet te blutë. ‘Fat i madh që e pati Dinamo dhe as Tirana e as Partizani’, – shton më tej numri 1 i klubit kryeqytetas.

Adrian Bardhi, presidenti i Dinamos. Gazeta Si, 7 gusht 2023

Për çfarë bëhet fjalë konkretisht? Projekti i pagëzuar ‘Dinamo City’ për shkak të një bashkëpunimi që pritet me klubin e njohur anglez, parashikohet ta çojë Dinamon në një stad tjetër, ku ndoshta nuk ka qenë asnjë klub tjetër shqiptar më parë. Asgjë nuk mungon.

Së pari, presidentit Bardhi i janë bashkuar edhe 3 aksionerë të tjerë të fuqishëm dhe buxheti pa dyshim është shumëfishuar. Gazeta Si mëson se bëhet fjalë për kompanitë ‘Mektrin Motors’, ‘Pelikan’ dhe ‘EA Tabacco’.

Projekti ndodhet në fazën e parë, por tashmë janë hedhur hapa konkretë. Dinamo ka marrë në stol një emër shumë të njohur, siç është italiani Luixhi Di Biaxho, ish-lojtar i kombëtares italiane, Interit dhe Romës. Nuk bëhet fjalë thjesht për të bërë ‘boom’ me trajnerin e ri, sikurse ka dalë në modë tashmë, por për të pasur një staf të kompletuar në çdo aspekt.

E veçanta është se Dinamo ka tashmë një staf ‘XXL’, mbi 10 vetë. Ndihmës të Di Biaxhos janë Ledjan Memushaj, ish-lojtar i Kombëtares, dhe Fabricio Pikareta. Korrado Sakone do jetë përgatitës atletik dhe Blendi Baholli përgatitës portierësh. Deri këtu asgjë e veçantë, risia është se te blutë janë afruar një skuadër fizioterapistësh, të kërkuar nga trajneri Di Biaxho. Si në skuadrat e mëdha europiane, ndërsa në Shqipëri jemi mësuar të shohim që masazhatori të bëjë edhe mjekun.

Trajneri Di Biaxho me ndihmesin e tij Pikareta ne stervitjen e bluve. Gazeta Si, 7 gusht 2023

Sa për mjekun e ri, edhe ai do të jetë i huaj. Edhe kjo një kërkesë parësore e trajnerit. Por jo vetëm kaq. Nga burime të Gazeta Si është mësuar se në skuadër do të afrohet edhe një psikologe, një risi për klubet shqiptare. Edhe stafi administrativ i klubit do të jetë i plotë.

Faza tjetër ka të bëjë me rindërtimin e skuadrës, me të cilën Dinamo do të paraqitet sezonin e ri. Nuk ka asnjë dyshim që për t’iu përgjigjur projektit të ri do të bëhet një merkato cilësore. Për këtë qëllim drejtuesit kanë menduar t’ia besojnë ‘çelësat’e merkatos Haris Fakiç, ish-drejtorit sportiv të Skënderbeut që vitet e fundit ka bërë transferime të bujshme lojtarësh jashtë vendit. Së shpejti Dinamos do t’i bashkohen lojtarë kalibri, skuadra do të bëhet thuajse nga e para.

‘Dinamo ka rilindur!’ Një tjetër pohim ky i presidentit Bardhi, i cili përsërit vazhdimisht se diçka e madhe po vjen në futbollin shqiptar.

Më pas vjen akademia dhe bashkëpunimi me akademinë e Mançester Sitit, ekipit kampion të Europës. Projekti i ri parashikon ndërtimin e një kompleksi të ri stërvitor afër qytetit të Durrësit, që është marrë përsipër nga aksionerët e Dinamos. Për këtë bashkëpunim, që pak klube kanë fatin ta kenë, është pranuar që të bëhet një modifikim i logos dhe të quhet Dinamo City.

Dinamo ne stervitje ne Karpenja te Italise, ku zhvillon fazen pergatitore. Gazeta Si, 7 gusht 2023

‘Është vetëm një ndryshim i vogël, kemi shtuar një ‘mbiemër’. Dinamo mbetet Dinamo dhe gjithçka e bëjmë për të mirën e saj, sepse është fat i madh të bashkëpunosh me një klub si Mançester Siti’, – ka theksuar presidenti Bardhi.

Koha do të vërtetojë gjithçka, por nuk është e vështirë të kuptohet se Dinamo ka nisur një rrugë, që mund ta kthejë shumë shpejt në majat e futbollit shqiptar. Jo vetëm ana ekonomike, të gjithë faktorët janë në mbështetje të projektit të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë