Muzike

Zgjidhet konflikti, ‘Sunny Hill Festival’ rikthehet në Kosovë, por do mbahet dhe në Tiranë

posteri

Nga Gazeta Si – Pasi u kthye në kryefjalë të debatit për ditë me radhë në Kosovë e Shqipëri, duke shkaktuar reagime dhe hipoteza të shumta, njoftohet se Sunny Hill Festival rikthehet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, por do të mbahet edhe në Tiranë.

Kjo është bërë e ditur nga një deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill Festival.

Në deklaratë thuhet se Sunny Hill Festival do të mbahet në Prishtinë në datat 4-7 gusht, data këto që u parashikuan më herët që festivali të mbahej në Tiranë.

“Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 Gusht 2022. Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë. Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm’, thuhet në deklaratë.

Me vendimin e fundit, datat 4-7 gusht që ishin  parashikuar për t’u mbajtur festivali në Tiranë janë zhvendosur nga fundi i muajit gusht, përkatësisht në 26, 27 dhe 28 gusht.

Për organizimin e festivalit në të dyja kryeqytetet ka reaguar edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e quan një lajm të mirë për të gjithë.  

“Jam shumë i lumtur që edicioni special i këtij viti i ‘Sunny Hill Festival’, do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht. Një super lajm për të gjithë”, shkruan Veliaj.

Në deklaratën e Ministrisë së Kulturës së Kosovës thuhet së “në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror”, por sipas tyre një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë.

Vendimi për organizimin e festivalit në Tiranë u mor më 14 qershor, më pak se dy muaj para kohës kur ishte planifikuar të mbahej festivali, nga 4-7 gusht.

Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali dhe babai i yllit botëror, Dua Lipa do të shprehej se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.

Sipas një marrëveshjeje, mes Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë Sunny Hill, kompanisë do t’i jepej në shfrytëzim një tokë prej 17 hektarësh në komunën e Prishtinës, një parcelë në Bërnicë të Poshtme për 99 vjet. Por procedura për dhënien në shfrytëzim të tokës për kompaninë Sunny Hill (Sh.P.K.), që e organizon festivalin, u shoqërua me kundërshtime politike nga niveli komunal e deri tek ai qendror, madje nuk munguan kundërshtimet edhe nga shoqëria civile dhe aktivistët.

Në deklaratën e sotme të Ministrisë së Kulturës përmendet edhe cështja e shfrytëzimit të tokës, sipas së cilëve do të diskutohet për të gjetur një zgjidhej të qëndrueshme.

“Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë”, lexohet më tej në deklaratë.

Një nga hipotezat e krijuara pas lajmit që do të zhvendosej festivali në Tiranë ishte edhe fakti nëse familja Lipa u joshën nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kjo gjë u piketua që të ndodhte që një vit më parë kur ishin me pushime në Shqipëri.

Por një gjë e tillë do të mohohej nga përfaqësuesit e festivalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë