Futboll

Sulmuesit, çelësi i suksesit të Dinamos dhe Vllaznisë, që kryesojnë Superligën!

Gazeta Si - Pasi është mbyllur edhe faza e dytë e kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore, pra 18 javë, janë dy skuadra të kryesojnë me pikë të barabarta, ku vetëm golavarazhi i diferencon për momentin. Bëhet fjalë për Dinamon dhe Vllazninë, të dyja me nga 31 pikë.

Avanacimi i Dinamos, nën drejtimin e Ilir Dajës ishte ashtu siç pritej, e mori në vendin e 9-të në shtator pas 3 javësh që kishte filluar edicioni, me dy humbje që “nëndetësja” kishte marrë nën drejtimin e Dritan Mehmetit dhe një fitore në ndeshjen e drejtuar nga Erjon Xhafa.

Sot, pasi janë zhvilluar 15 ndeshje nën drejtimin e teknikut, të ardhur nga kampionët e Kosovës, Ballkani, ndodhen në vendin e parë me një bilanc: 8 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje.

Edhe Vllaznia, e cila e mbylli edicionin e shkuar me katër ndeshjet e fundit nën drejtimin e Thomas Brdariç, me idenë e fillimit të këtij të riut nën projektimin e trajnerit gjerman dhe me sa duket ka funksionuar deri më tani.

Nga 18 ndeshje shkodranët kanë fituar gjysmat, 9 ndeshje, më pas kanë 4 barazime dhe 5 humbje.

Por më shumë se sa pikët dhe një ecuri deri diku lineare e tyre, ndryshe nga Dinamo për të cilën, Dajës iu desh ta ngrinte nga zona e ftohtë, nëse do ta shohësh me kujdes kampionatin, kuptohet se diferencën e këtyre dy skuadrave nga të tjerat që i ndjekin, si Partizani për shembull që është vetëm një pikë larg, e bëjnë sulmuesit.

Kështu, si Dinamo edhe Vllaznia janë nga skuadrat që kanë shënuar më shumë gola, 29 shkodranët si skuadra me më shumë gola të shënuar, 28 Dinamo, e dyta në këtë tregues.

Por tek pësimet, gjërat ndryshojnë, pasi skuadra e Vllaznisë e mësuar me një lojë më tepër sulmuese dhe sigurisht me defiçite në cilësinë e mbrojtjes, ka pësuar shumë gola, 23, ndërsa Dinamo, me një ekip më të ekuilibruar, vetëm 19.

Tre vendet e para në klasifikimin e golashënuesëve e zënë lojtarët e këtyre ekipeve, Bekim Balaj i Vllaznisë në krye me 8 gola, po aq sa edhe Baton Zabërgja i Dinamos dhe podiumi i treshes kompletohet nga nigeriani i ekipit të kryeqytetas, Itodo me një gol më pak, 7.

Për të gjetur sulmuesin me më tepër gola të Partizanit që ndodhet në vendin e tretë, duhet zbritur në vendin e tetë në renditjen e golashënuesve pas 18 javësh.

Mba ka shënuar vetëm 5 gola në 18 ndeshje dhe pas tij, Bintsouka me 4 gola, ndërkohë që 10 vendet e para kompletohen nga një tjetër lojtar i Vllaznisë, si Dodaj me 4 gola.

Shifra të ulëta nëse krahasohemi me kampionatet e mëdha europiane dhe emrat kryesorë të sulmeve të klubeve të kontinentit tonë, por gjithsesi, në realitetin tonë, si Balaj, që edhe pse në një moshë deri diku të avancuar, pasi më 11 janar mbush 34 vjeç, ashtu edhe Zabërgja, i cili është rreth 10 vite më i ri, janë ata që kanë bërë diferencën.

Me sa duket, dy “bomberët” e Superligës shqiptare janë çelësi i suksesit të kësaj udhëheqjeje të dy klubeve legjendarë, Dinamos dhe Vllaznisë, pas dy fazave të para të sezonit 2024/2025 të Kategorisë Superiore në futbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë