Futboll

Sulmuesi kuqezi i momentit, Vrioni fiton ‘Këpucën e Artë’


Gazeta Si – Xhakomo Vrioni është sulmuesi i Kombëtares i momentit. Ai është shpallur golashënuesi më i mirë në kampionatin austriak, me 19 gola. Vrioni ka bërë më mirë se Salihi në Austri, ku shkodrani kishte shënuar 18 gola në sezonin më të mirë.

Për lojtarin e Juventusit, ishte një sezon fantastik me Tirolin, ku ai luajti si i huazuar. Ndeshja e fundit ishte ajo ndaj Rapidit, e vlefshme për ‘play-off’-in për Ligën e Konferencës.

Xhakomo Vrioni. Gazeta Si, 30 maj 2022

Skuadra e futbollistit shqiptar nuk mundi të sigurojë një biletë për në Europë. Vrioni ishte protagonist absolut me Tirolin, duke shënuar gola me peshë.

Sulmuesi kuqezi shënoi 19 gola, po aq sa Karim Adejemi i Salcburgut, i cili është blerë nga Borusia Dortmund. Të dy kanë ndarë trofeun e “Këpucës së Artë” në kampionatin austriak.

Tani Vrioni do të kthehet te Juventusi me moral më të lartë dhe më i rritur profesionalisht. Ofertat për sulmuesin kanë filluar të shtohen, ashtu si dhe vlera e tij në treg. Mbetet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e lojtarit, për të cilën vendos klubi bardhezi.

Vrioni është grumbulluar nga trajneri Reja për tri ndeshjet e qershorit me Islandën. Izraelin dhe Estoninë. Me siguri ai do të ketë minuta në këto ndeshje. Është në një formë shumë të mirë për momentin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë