Bota

Sulmohet në skenë me thikë shkrimtari Selman Rushdie

Autori i “Vargjeve satanike” dhe fituesi i një sërë çmimesh ndërkombëtare në letërsi, Salman Rushdie është sulmuar me thikë gjatë një aktiviteti ku po mbante fjalën në Nju Jork.

Ngjarja është konfirmuar nga një mori dëshmitarësh në event, si dhe autoritetet amerikane.

Në momentin që shkrimtari britanik me origjinë indiane ishte duke folur, një person me maskë është shkëputur nga publiku edhe është ngjitur në skenë duke e goditur atë në fytyrë. Fillimisht u tha se Rushdie ishte goditur me grushte, por më vonë u mësua se ai ishte goditur me thikë, ku njëra prej plagëve është shkaktuar në qafë.

Dëshmitarët folën për ‘pellg me gjak’ në vendin ku u rrëzua shkrimtari. Ai u shoqërua me helikopter për në spital, ku autoritetet amerikane konfirmuan se është gjallë, por pa dhënë më shumë detaje mbi gjendjen e tij.

Ndërkohë, policia ka arrestuar autorin e dyshuar, që mendohet se është një ekstremist.

Salman Rushdie është kërcënuar gjatë gjithë jetës së tij, që prej botimit të librit “Vargjet satanike” në vitin 1988, një roman që shkrimtari tha se është frymëzuar nga jeta e Profetit Muhamed.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë