Gazeta Si- Zyrat qëndrore të një depoje farmaceutike në autostradën Tiranë-Durrës janë sulmuar me breshëri armësh zjarri. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale.
Pavarësisht se ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit, policia njofton se është lajmëruar në orën 08:10, pra 6 orë pas të shtënave me armë. Në këtë mënyrë, autorët kanë pasur gjithë kohën e mundshme për t’u larguar dhe për të humbur gjurmët.

Sipas njoftimit për mediat, persona të armatosur kanë qëlluar me breshëri arme në drejtim të fasadës së jashtme të këtij biznesi.
Autorët janë të paidentifikuar, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe autorin/ët.
“Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit”, – njofton policia.
Ndërkohë, sipas burimeve paraprake, bëhet me dije se drejt fasadës së godinës është qëlluar të paktën 30 herë me kallashnikov nga një makinë, e cila fillimisht ka ndaluar, ka qëlluar dhe më pas është nisur në drejtim të mbikalimit të Kasharit.

Në momentin e të shtënave, roja i sigurisë së godinës ka qenë brenda në kabinë dhe para hetuesve ka treguar se ka dëgjuar zhurmë, por kur ka dalë jashtë sipas tij, nuk ka konstatuar gjë dhe nuk ka njoftuar policinë.
Në mëngjes, shenjat e plumbave i kanë parë punonjësit e administratës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë.
Gjithnjë sipas burimeve, pronari i kompanisë “CFO PHarma”, Nadir Çausholli, i marrë në pyetje nga policia, ka pretenduar se nuk ka konflikt me njeri dhe nuk ka asnjë ide kush fshihet pas kësaj ngjarje.
Në korrik të 2024-ës, kompania u përjashtua nga tenderët për 6 muaj, pasi u zbulua se kishte kryer mashtrim në dokumentacionin e dorëzuar për t’u kualifikuar në tenderë publikë.
Pronari i kompanisë, Çausholli, njihet si person me probleme me drejtësinë, pasi në vitin 2015 u arrestua për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.