Bota

Sulmohet me armë makina e burgut në Francë, vriten 3 policë dhe arratiset i dënuari (Video)

Gazeta Si – Një furgon i policisë së burgjeve franceze pësoi një sulm të armatosur mëngjesin e kësaj të marte në kabinën e pagesës së autostradës Eure në Normandi.

Të paktën tre oficerë u vranë, raporton “Le Figaro”, ndërsa tre u plagosën (dhe dy prej tyre janë “në rrezik për jetën”). I burgosuri u arratis dhe u zhduk.

Mediat franceze thonë se dy makina, një “Audi” e bardhë dhe një “BMW”, sulmuan furgonin që transportonte të burgosurin nga Rouen në Évreux.

Dy burra, të veshur me të zeza dhe me fytyrë të mbuluar, filluan të qëllonin në drejtim të mjetit të burgut, ata gjetën të burgosurin dhe u larguan. Njëra nga dy makinat u gjet më vonë në flakë pranë spitalit Évreux.

Sipas informacioneve paraprake, i burgosuri i arratisur është Mohamed Amra, 30 vjeç, me nofkën “The Fly”, me origjinë nga lagjja “La Sablière” e Rouen-it, i dënuar të martën e kaluar me 18 muaj burg për vjedhje të rënda në supermarkete dhe aktivitete tregtare midis gushtit dhe tetorit 2019, por i papërfshirë në listën e të burgosurve të radikalizuar.

“La Mouche” u padit gjithashtu në Marsejë në vitin 2022 për vrasje me dashje, e lidhur me trafikun e drogës, e kryer në Aubagne. Para se të ndalohej në Évreux, i dyshuari kishte qenë në burg në Baumettes dhe La Santé.

“Të gjitha forcat e policisë janë mobilizuar për ta gjetur atë”, tha një burim policor për “Le Figaro”. Një pjesë e autostradës 154 u mbyll për të lehtësuar operacionet.

Ministri francez i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti shkoi së bashku me njësinë e krizës në vendin e sulmit. “Të gjitha mendimet e mia shkojnë te viktimat, familjet e tyre dhe kolegët e tyre”, shkruan ai në X.

“Njëri prej tyre ka lënë pas gruan dhe dy fëmijët e tij, të cilët duhej të festonin 21 vjetorin e tyre brenda dy ditësh. Tjetri la një grua shtatzënë pesëmuajshe, prindër dhe miq”, shton ministri i Drejtësisë.

Sipas një burimi policor, një prej banditëve ka mbetur i plagosur. “Në kabinën e pagesës të Incarville, ku trafiku ishte ndalur, kishte disa automjete”, – vuri në dukje një korrespondent i AFP-së.

“Plani “Epervier”, një operacion i xhandarmërisë i nisur pas një rrëmbimi ose arratisjeje është aktivizuar, ku përdoren të gjitha mjetet për të gjetur kriminelët.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka postuar një mesazh në “X”: “Kjo dramë është një tronditje për të gjithë ne dhe do të jemi shumë të ashpër ndaj përgjegjësve. Kombi qëndron pranë familjeve, të lënduarve dhe kolegëve të tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë