Futboll

Sulmohen tifozët kosovarë në Greqi, tension dhe provokime

Gazeta Si – Kosova është mundur sërish nga Greqia në Ligën e Kombeve. Këtë herë në Vollos, me rezultatin 2-0. Por ndeshja ka kaluar në plan të dytë, sepse tifozët kosovarë janë sulmuar nga ata vendës. Kjo ngjarje ka marrë gjithë vëmendjen.

Në stadiumin “Panthessaliko” janë shfaqur disa skena shumë të shëmtuara. Atmosfera nuk ishte aspak miqësore në stadium.

Tifozet greke tentojne te kalojne kangjellat ndarese. Gazeta Si, 12 qershor 2022

Fillimisht, grekët vërshëllyen himnin e Kosovës dhe provokuan me një flamur serb. Më pas tifozët vendës vazhduan me provokimet ndaj lojtarëve të Kosovës, pastaj sulmuan edhe tifozët kosovarë.

Pjesa e dytë ka qenë më e tensionuar dhe ka pasur një përplasje mes dy tifozerive. Drejt sektorit të tifozëve kosovarë janë hedhur sende, shishe dhe fishekzjarre.

Ishte minuta e 72-të e ndeshjes dhe në këtë moment ka pasur një ndërprerje. Pas golit të avantazhit, tifozët grekë ishin të papërmbajtshëm. Lojtarët e Kosovës, me në krye Muriqin dhe Rrahmanin, janë ankuar tek arbitri austriak, duke i thënë se është vetëm një ndeshje futbollit dhe jo luftë.

Pas ndërhyrjes së policisë, ndeshja ka vazhduar dhe Greqia në shtesë ka shënuar edhe golin e dytë. Por kjo ndeshje me siguri do të jetë objekt për Komisionin e Disiplinë së UEFA-s. Greqia rrezikon shumë dënimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë