Ngjarje

Sulmi në xhami i Rudolf Nikollit dhe përkeqësimi i shëndetit mendor nga Covidi, droga dhe papunësia

Kur E. 14 vjeç i vuri duart së ëmës në fyt, policia gjatë marrjes në pyetje të fëmijës i vari shpresat tek psikologia e komisariatit. E., hajdut serial në zonën e Kamzës, i dhunshëm dhe i pakontrollueshëm u përshkrua nga psikologia si i varur nga pirja e drogës e llojit hashash, dhe me çrregullim depresiv, që e kishte bërë atë të dhunshëm dhe të pakontrollueshëm për kërkesat që kishte. Por as e ëma dhe as ndonjëri nga personat madhorë në familjen e fëmijës nuk kishin marrë masa, që djali, i cili kishte braktisur shkollën më herët minimalisht të vizitohej nga një psikolog.

Nisur nga rasti i paprecedentë i Rudolf Nikollit, i cili sulmoi me një thikë besimtarët në xhami, Arjana Muçaj sociologe dhe psikologe këmbëngul te përkeqësimi i shëndetit mendor gjatë pandemisë.

“Covidi për personat që vuajnë nga sëmundjet e shëndetit mendor e rëndoi gjendjen e tyre, pasi mbylljet dhe hapjet, kufizimet, takimet e pakta me njerëzit kanë efekt dhe veçanërisht tek ata që kanë pasur më herët simptoma të ankthit apo të pakënaqësisë”.

Por teksa psikologët pohojnë se nga reagimi i 34 vjeçarit kuptohet që ai vuan nga skizofrenia, e cila duhej kuruar dhe mbajtur nën kontroll me medikamente dhe nga klinicistë, Muçaj shpjegon se si edhe problemet më të vogla mendore japin sinjal për rëndim të gjendjes.

“Individë të tillë e nisin me simptoma të lehta të pjesës të stresit dhe të ankthit që janë të pakuruara dhe pastaj kalojnë në pjesën depresive. Shumë prej tyre vendosen nën mjekim, por problemi nis kur ata e ndërpresin mjekimin, pasi të afërmit mendojnë që u bënë mirë, por këta individë duhet të mbahen nën kujdes të vazhdueshëm”.

Komshinj dhe të afërm agresivë

Përditë nëpër rajone të policisë shtohen konfliktet absurde. Kur shtetasja F.Z u paraqit në komisariatin numër katër kërkesa e saj ishte gati-gati një urdhër. Gruaja kërkoi që t’i arrestohej fqinji, meqenëse asnjëri nga të afërmit e tij nuk merrte masa për ta qetësuar. Fiksimi i burrit ishte të mos linte njerëzit të kalojnë në rrugicën e lagjes.

“Dola nga shtëpia për të shkuar në dyqanin që gjendet tek rruga e varrezave dhe sapo hodha mbeturinat kur u shkëmbeva me N. Ai më shau me fjalë banale dhe tha - mos të të shoh as ty as burrin tënd në këtë rrugë”.

Gruaja i thotë policisë se u rrah nga fqinji. “Arsyen se përse vepron kështu nuk e di, ne nuk kemi asnjë konflikt me të”.

Por kur burri i dhunshëm u thirr në komisariat ai kundërshtoi që grindja të mos kishte shkak.

“Ne grindemi për një mur për të cilin fqinji thirri policinë bashkiake. Ju thashë bëtë gabim që e njoftuat, pastaj iu bëra video. Këta të dy kanë probleme me gjithë lagjen dhe jo unë”.

Madje edhe gruaja e burrit të dhunshëm ka dalë në mbrojtje të tij duke treguar se si fqinja teksa ajo po lante tapetin e pyeti “përse burri yt nuk rri urtë?”

Por policia këmbëngul për gazetën Si se pikërisht të afërmit janë “keqbërësit” e parë, të cilët përpiqen që ti mbulojnë këto konflikte të pabazuara duke u justifikuar me gjaknxehtësinë apo se të tjerët ua kanë bërë borxh të afërmve të tyre.

Në këtë pikë, Arjana Muçaj, ka vetëm një kërkesë. “Duhet shkuar te psikologu që në hapat e parë kur ndjen probleme, nuk përballesh dot me botën jashtë, ndjen pasiguri, ankth, pagjumësi. Zakonisht këta individë asistohen në fazë më të rëndë dhe shkojnë tek psikiatri. Problemet e shëndetit mendor fillojnë gradualisht, nuk ke shpresë për të ardhmen, ndihesh i pafuqishëm, i lënë pas dore nga shoqëria, por kjo gjendje nuk nis menjëherë”.

E la bashkëshortja, pi fostoksinë

Por teksa shumë të tjerë mbyllen dhe janë përkeqësuar nga droga, papunësia dhe covidi, edhe një ndarje nga të dashurit e zemrës ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor.

30-vjeçari A. D shpëtoi mrekullisht nga tentativa për t’i dhënë fund jetës mbasi piu fostoksinë. Mbas kujdesit mjekësor i riu A. D u paraqit në komisariatin numër tre dhe tha se pas tetë viteve lidhje e dashura me të cilën bashkëjetonte e braktisi mbasi ai pinte ndonjëherë alkool.

“Shkova tek vendi i punës, ju luta që të kthehej me mua, isha i përhumbur dhe i dëshpëruar, por ajo më tha se të bëja ç’të doja me jetën time, nuk i interesoja më. Atëherë nxora një kokërr fostoksinë që e kisha në xhep gjatë gjithë kohës dhe e piva. Ambulancën e lajmëroi e dashura ime, edhe policinë e njoftoi ajo”.

Por pavarësisht këtij veprimi e reja që është pyetur për gjendjen e tij ka shtuar se kishte vendosur të mos jetonte më me 30-vjeçarin dhe ia kishte bërë të qartë.

Rudolf Nikolla që dje sulmoi besimtarët në xhaminë e rrugës së Kavajës

Rudolf Nikolla

Të njëjtat simptoma kishte dhe i riu nga Burreli, një i ri që u shkatërrua nga pamundësia për të siguruar një punë. Në tentativë për të siguruar një vend pune, ai kishte emigruar jashtë vendit ku dhe e kthyen pasi nuk kishte dokumente. Në përpjekje të vazhdueshme, Rudolf Nikolla udhëtonte shpesh drejt Tiranës dhe me simptoma agresive ai nuk ia doli të socializohej dhe as të gjente një punë.

“Unë e fal dhe nuk bëj kallëzim deklaroi në komisariatin numër 3 shoferi që e merrte shpesh me fugonin e linjës, atëherë kur i riu e plagosi”. Edhe të afërmit e tij me shpresë se ai do të ndryshonte, e mbështesnin por pa e kuruar derisa ai sërish me një thikë në dorë sulmoi të panjohur duke plagosur pesë qytetarë, katër prej të cilëve në xhami dhe i fundit kalimtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë