Futboll

Sulmi ndaj stafit të Vllaznisë, reagon klubi dhe konfirmon Agim Canajn

Situata te Vllaznia edhe pse shumë pranë ringjitjes në Superligë nuk është aspak e qetë. Ambienti në skuadrën shkodrane gjatë ditës së djeshme është trazuar nga disa kërcënime dhe presione që janë bërë në drejtim të stafit dhe lojtarëve. Pas ngjarjeve të rënda të ndodhura dje, ka ardhur reagimi nga klubi i Vllazninsë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vllaznia shkruan se po shqyrtohen me përgjegjësinë e duhur dhe në interesin më të lartë të klubit dhe tifozëve ngjarjet e ditëve të fundit.

Klubi shkruan ndër të tjera se ekipi është rikthyer normalisht në stërvitje me synim kapjen e objektivave sezonal për t’u ngjitur në Superligë. Gjithashtu saktëson se në ditët e ardhshme do të bëhet me dije vendimmarrja në lidhje me ngjarjet e ndodhura dhe hapat që do të ndërmerren. Me këtë deklaratë, klubi shkodran tenton të qetësojë disi ujërat në skuadër dhe hedh tej çdo aludim për një largim të mundshëm të trajnerit Agim Canaj dhe të stafit drejtues.

Njoftimi i Vllaznisë:
Klubi i Futbollit “Vllaznia”, në përgjigje të interesit publik dhe të mediave sqaron sa më poshtë vijon: Pasi jemi njohur me shqetësimin e ngritur nga stafi teknik ditët e fundit për veprime anti-sportive në ekipin e parë, po e shqyrtojmë me përgjegjësinë e duhur dhe në interesin më të lartë të klubit dhe tifozëve dhe në momentin kur të ketë një vendimmarrje, si gjithmonë, do t’i bëhet e njohur mediave dhe opinionit publik. Po ashtu, sqarojmë se stafi i Klubit të Futbollit “Vllaznia” vazhdon i pandryshuar punën e tij të përditshme për të finalizuar objektivin e ringritjes në Superligë.

Vllaznia momentalisht është në vendin e parë në grupin e veriut në Kategorinë e Parë dhe shumë pranë sigurimit të ngjitjes në elitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë