Futboll

Sulmi atomik ngjit Interin në krye, në mbrëmje sfida e madhe Juventus-Milan

Fitorja 6-1 ndaj Bolonjës së Mihajloviç e ka ngjitur Interin në vend të parë të Serisë A, në kuotën e 10 pikëve, por rivalët e zilaktërve zbresin sot në fushë. Inzagi po shijon sulmin atomik të skuadrës së tij, që me treshen Lautaro-Xheko-Korrea duket më mirë edhe se Lu-La e sezonit të kaluar, dyshja e titullit.

Një vit më parë Interi kishte shënuar 11 gola në 4 ndeshjet e para, kurse tani është në kuotën e 15 golave. Sulmi jep garanci për Interin, që shënon prej 23 ndeshjesh radhazi dhe është shumë afër rekordit që zgjat prej vitit 1950 (24 ndeshje). Interi ka shënuar të paktën 2 gola në 9 ndeshjet e fundit të kampionatit. Mund të vecohet Xheko, i cili u fut në fushë pas dëmtimit të Korreas ndaj Bolonjës dhe shënoi 2 gola. Boshnjakut i mungonte dopieta prej gati një viti.

Formacionet e mundshme te Juventus-Milan. Gazeta Si, 19 shtator 2021

Roma sot luan në fushën e Veronës, ndërsa në mbrëmje luhet në Torino sfida e madhe e kësaj jave mes Juventusit dhe Milanit. Alegri shpreson te kthesa e të tijve në kampionat. Sulmin do t’ia besojë dyshes Dibala-Morata, ndërsa Kieza është në dyshim dhe me shumë mundësi do ta nisë nga stoli. Juventusi do të luajë me mbrojtjen me 4, kurse në mesfushë do të jenë Kuadrado, Bentankur, Lokateli dhe Rabiot.

Më shumë lëvizje, por të detyruara, do të bëjë Pioli. Për Milanin janë në dyshim portieri Maingnan dhe Florenci. Portieri francez pritet të sakrifikojë, ndërsa në të djathtë të mbrojtjes mund të luajë Tomori. Në majë të sulmit kuqezi, do të jetë Rebiç, i mbështetur nga Brahim Diaz dhe Leao.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë