Drejtësia

Sulmet kibernetike, Prokuroria: Do sekuestrojmë të dhënat, publikimi cenon sigurinë kombëtare

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës, e cila po heton mbi sulmet kibernetike ndaj faqeve qeveritare, e konsideron cenim të sigurisë kombëtare publikimin e të dhënave të hakeruara.

Në një deklaratë shpërndarë mediave, lidhur me ecurinë e hetimeve prokuroria thekson se ka vendosur sekuestrimin e të dhënave të publikuara dhe atyre që do të publikohen në vijim nga faqet objekt hetimi i procedimit penal në fjalë dhe në vijim bllokimin e publikimit të çdo lloj informacioni nga mediat e shkruara, audivizive, mediat online.

Ndër të tjera organi i akuzës thekson se ka bashkuar dhe po heton në një çështje, sulmin e 15 korrikut me atë të 9 shtatorit ndaj sistemit TIMS.

Sulmet janë kryer me të njëjtën tipologji dhe kanë ardhur nga i njëjti burim, por po hetohen në një çështje të vetme.

Në sistemet ku ka ndodhur sulmi, është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që i përkiste autorëve dhe bashkëpunëtorëve të këtij sulmi.

Organi i akuzës thotë se “të dhënat e publikuara së fundmi përsa i përket informacioneve dhe të dhënave policore të klasifikuara apo informacioneve dhe të dhënave të marra nga partnerët të klasifikuara, informacione mbi procedimet penale etj.., janë konsideruar nga si prova që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me veprat penale në hetim dhe si veprime që cenojnë rëndë veprimtarinë e institucioneve shtetërore si dhe sigurinë kombëtare apo marrëdhëniet ndërmjet shtetasve”.

Postimi i këtyre të dhënave sekrete, sipas saj,  jo vetëm cenon privatësinë e çdo individi dhe Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, por janë edhe sekret hetimor në kuadër të hetimeve të ndërmarra nga organi procedues.

“Për këtë arsye, për shkak të rëndësisë, qëllimeve dhe autorëve në shërbim të të cilëve po ndodh ky veprim kriminal, për shkak të detyrimit ligjor për të mbrojtur të dhënat e çdo individi si edhe Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë për shkak të urgjencës dhe domosdoshmërisë për marrjen e një vendimi të menjëhershëm nga ana e Prokurorit, mbështetur në nenet 103, 208 e vijues, 304 të K.Pr.Penale nga ana e Prokurorisë u vendos sekuestrimi i të dhënave të publikuara dhe atyre që do të publikohen në vijim nga faqet objekt hetimi i procedimit penal në fjalë dhe në vijim bllokimin e publikimit të çdo lloj informacioni nga mediat e shkruara, audivizive, mediat online”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më tej sqarohet se vendimi i Prokurorisë është ndërrmarë në ushtrim të kompetencave të saj, duke synuar gjithashtu edhe pengimin e ardhjes së pasojave të mëtejshme të këtij veprimi kriminal.

“Sqarojmë së një vendim i tillë, nuk ka për qëllim pengimin e veprimtarisë së Medias por është kryer në kuadër të një procedimi penal ku publikimi apo shumëfishimi mediatik i informacioneve të klasifikuara dhe sensitive (që është në vetvete qëllimi kriminal i këtij sulmi), informacione këto të vjedhura, do të cenonte rëndë si ecurinë e hetimeve, ashtu dhe sigurinë e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë