Analize

Sulmet e 11 shtatorit – 18 vite më pas a po jetojmë më të sigurtë?

Kjo e mërkurë shënon 18-vjetorin e sulmit më vdekjeprurës terrorist në historinë botërore, ato të 11 shtatorit të vitit 2001, ku në SHBA u vranw gati 3,000 njerëz.

Nuk ka rëndësi se ku keni qenë 18 vite më parë. Madje nuk ka rëndësi nëse sapo kishit lindur, pasi sa herë që përflitet mbi terrorizmin, kjo datë do të mbahet mend si shembulli më i tmerrshëm i asaj që është i aftë të bëjë terrorizmi.

Sigurisht që ka pasur shembuj të tjerë të kobshëm, por imazhi i Kullave Binjake që hidheshin në erë nga dy avionë dhe shtëllungat e tymit që pushtuan Nju Jorkun, ndërkohë që kullat thërrmoheshin në pluhur do të mbetet gjithnjë i ngulitur thellë në kujtesën botërore.

Tetëmbëdhjetë vjet më parë në këtë ditë, gati 3,000 njerëz u vranë dhe më shumë se 6,000 të plagosur në sulmet terroriste që synuan një nga qytetet më të sigurta në vendin më të fuqishëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pamje nga sulmet e 11 shtatorit, Gazeta Si.

Imazhi i 11 shtatorit si një ngjarje e veçantë në historinë moderne botërore është ndryshoi narracionin dhe qasjen e fuqive botërore drejt terrorizmit. Nga cilësimi si një problem lokal, terrorizmi u shndërrua në një fenomen global.

18 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, nuk janë të paktë ata që pyesin veten nëse po jetojmë në një botë më të sigurt? A është ulur numri i sulmeve të lidhura me terrorizmin? A është fituar e ashtuquajtura 'luftë globale kundër terrorizmit'?

Të dhënat globale mbi incidentet e lidhura me terrorin sugjerojnë se 'po-ja' nuk mund të jetë përgjigje për asnjë prej këtyre pyetjeve. Bota ka pësuar më shumë akte të lidhura me terrorizmin në 16 vitet pas sulmeve të 11 shtatorit, sesa në 31 vitet para këtyre sulmeve

Të dhënat e siguruara nga Qendra për Monitorimin e Terrorizmit Global (GTD) tregojnë se midis viteve 1970 dhe 2017, bota pësoi të paktën 1,81,691 sulme terroriste. Nëse e ndajmë këtë shifër para dhe pas sulmeve të 11 shtatorit zbulojmë se 59.7 për qind e këtyre sulmeve terroriste ndodhën pas 11 shtatorit.

Pamje nga sulmet e 11 shtatorit, Gazeta Si.

Kjo do të thotë se mesatarisht, çdo ditë në të gjithë botën nga viti 2001 deri ne vitin 2017,  ka pasur 19 sulme terroriste.

Përveç rritjes së numrit të sulmeve terroriste, shifrat tregojnë edhe rritjen e numrit të personave të vrarë në incidente të lidhura me terrorizmin para dhe pas 11 shtatorit. Mes viteve 1970 dhe 2017, të paktën 4,11,868 persona humbën jëtën në sulme të lidhura me terrorzmin, shumica e të cilave ndodhën pas 11 shtatorit.

Sulmi terrorist i 11 shtatorit ishte sulmi më i madh në SHBA pas sulmit në Pearl Harbour në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Por që nga viti 2001, SHBA-ja nuk ka pësuar sulm tjetër të përmasave të ngjashme. Në vend të kësaj, me krijimn e Shtetit Islamik terrorizmi goditi rëndë Lindjen e Mesme dhe kryeqytetet evropiane.

Pavarësisht 'luftës globale kundër terrorizmit', numri i sulmeve terroriste dhe njerëzve të vrarë nga kamikazët nëpër botë është rritur në mënyrë alarmante pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ajo që është më alarmante është se këto shifra tronditëse vijnë pavarësisht përkushtimit të shtuar të fuqive të mëdha botërore në luftën kundër terrorizmit.

Ofensiva e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri ka qenë deri tani efektive, pasi Amerika ka pasur partnerë të aftë në terren. Në Siri, deri tani partnerët më të dobishëm kanë qenë kurdët sirianë. Ata kanë pësuar vdekje dhe lëndime të tmerrshme pasi kanë larguar forcat e Shtetit Islamik nga qytete të tilla si Raqa ku grupi terrorist kishte dikur një strehë të sigurt për të komplotuar sulme terroriste në rajon dhe më gjerë, por edhe për të planifikuar sulme globale , duke përfshirë Shtetet e Bashkuara në qytete të tilla si Nju York dhe Orlando, Florida.

Shumë vende të huaja janë të gatshme të bashkohen me luftën kundër terrorizmit dhe të mbajnë përgjegjësi të rrezikshme në këmbim të ndihmës së SHBA-së, por nën presidencën e Trump, platforma “ Amerika e para” po duket gjithnjë e më shumë si një justifikim për abdikimin e udhëheqjes globale. Kjo qasje do të ketë pasoja të rënda për betejën aktuale kundër Shtetit Islamik dhe do të ketë pasoja afatgjatë ndaj partnerëve amerikane kundër terrorizmit në nivel global.

Megjithë retorikën e ashpër ndaj terrorizmit që del nga Shtëpia e Bardhë, kjo është një recetë për ta bërë botën më pak të sigurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë