Bota

Sulmet ajrore izraelite vrasin 10 civilë në Liban. Ushtria bastis spitalin kryesor në jug të Gazës

Gazeta Si – Numri i viktimave civile nga dy sulme ajrore izraelite në Liban është rritur në dhjetë, raportoi media shtetërore më 15 shkurt.

Sulmet ndodhën një ditë më parë dhe janë më vdekjeprurëset në më shumë se katër muaj të shkëmbimit të zjarrit ndërkufitar mes Izraelit dhe grupit Hezbollah.

Grupi militant libanez, Hezbollah, u zotua se do të hakmerret për sulmet, të cilat goditën qytetin Nabatijeh dhe një fshat në jug të Libanit, pak orë pasi predhat e hedhura nga Libani vranë një ushtar izraelit.

Në Nabatijeh, sulmet izraelite dëmtuan një ndërtesë, duke vrarë shtatë anëtarë të një familjeje të njëjtë, përfshirë një fëmijë raportoi media shtetërore libaneze. Fillimisht, pas sulmeve ishte raportuar për katër viktima.

Ndërkaq, në fshatin Suaneh, një grua dhe dy fëmijët e saj u vranë. Edhe luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë gjatë sulmeve izraelite.

Hezbollahu dhe ushtria izraelite shkëmbejnë zjarr në kufi që nga 7 tetori, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, forcat izraelite kanë hyrë në spitalin kryesor në jug të Gazës këtë të enjte, disa orë pasi zjarri izraelit vrau një pacient dhe plagosi gjashtë të tjerë që gjendeshin brenda kompleksit spitalor.

Ushtria izraelite tha se ishte një operacion i kufizuar që synonte gjetjen e pengjeve të marra nga Hamasi.

Bastisja në spital ndodhi një ditë pasi ushtria izraelite tentoi të evakuonte mijëra persona të zhvendosur që kanë gjetur strehim në spitalin Nasser në Han Junis. Ky qytet jugor i Gazës javët e fundit ka qenë caku kryesor i ofensivës izraelite kundër Hamasit.

Ushtria tha se kishte “inteligjencë të besueshme” se Hamasi po mbante pengje në spital dhe se brenda këtij objekti mund të ketë edhe mbetje trupore të pengjeve.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se forcat po kryejnë operacion “preciz dhe të kufizuar”, duke shtuar se nuk do të ketë evakuim me forcë të mjekëve apo pacientëve.

Izraeli e akuzon Hamasin se përdor spitalet dhe infrastrukturat e tjera civile për të mbrojtur luftëtarët e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë