Bota

Sulme të reja ajrore, Kievi rrëzon 30 dronë. Ukraina godet me granata në Rusi

Gazeta Si – Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi më shumë se 30 dronë të nisur në Kiev mbrëmë nga forcat ruse, njoftoi administrata ushtarake e kryeqytetit, duke shtuar se nuk ka viktima apo dëme të veçanta për momentin pas sulmeve të sotme në qytet.

Shpërthime ndodhën në Kiev, njoftoi kryebashkiaku Vitalii Klitschko në Telegram.

Klitschko shtoi se sistemet e mbrojtjes ajrore të kryeqytetit ukrainas kanë hyrë në veprim dhe se “një tjetër valë sulmesh me dron po vjen”.

Shpërthime të tjera u dëgjuan gjithashtu në zonën e qytetit Cherkassy dhe paralajmërime për sulm ajror u lëshuan për të gjithë Ukrainën, sipas mediave lokale.

Dy fshatra në rajonin perëndimor të Rusisë, Bryansk, janë granatuar nga forcat ukrainase, por askush nuk u lëndua, tha guvernatori rajonal Alexander Bogomaz në një seri postimesh në aplikacionin e mesazheve Telegram të premten.

Rusia njoftoi se u mbrojt me sukses kundër sulmeve që vinin nga Ukraina, ndërsa sulmet e saj ajrore në Kiev rezultuan në vdekjen e tre personave, duke përfshirë një vajzë nëntëvjeçare dhe nënën e saj, të cilët nuk ishin në gjendje të hynin në një strehimore për t’u mbrojtur nga sulmi ajror.

Të dyja palët janë të angazhuara në taktika që synojnë uljen e disponimit të përgjithshëm dhe dobësimin e aftësive ushtarake, teksa pritet që një kundërofensive ukrainase kundër pushtimit 15-mujor të Rusisë, në një të ardhme të afërt.

Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelensky ka akuzuar se, “disa strehimore në Kiev, u mbyllën gjatë bastisjeve ruse. Autoritetet lokale ukrainase duhet të sigurojnë që strehimoret e sulmeve ajrore të mbeten të hapura dhe të aksesueshme 24 orë në ditë”.

Zelenski e tha këtë në një video-mesazh të mbrëmjes të cituar nga agjencia “Ukrinform”, në të cilën ai thekson se mbrëmë, kur kryeqyteti Kiev u godit nga një tjetër breshëri raketash dhe dronësh rusë, disa strehimore u mbyllën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë