Euro 2020

Sulme raciste nga tifozët anglezë ndaj Saka, Sanço dhe Rashford

Pas humbjes me penallti në finalen e Euro 2020, në rrjetet sociale ka pasur sulme raciste ndaj lojtarëve të Anglisë që humbën penalltitë. Policia ka hapur një hetim, ndërsa kryeministri Boris Xhonson i ka quajtur të turpshme këto sulme. Në mbrojtje të lojtarëve që gabuan ka dalë edhe trajneri Southgejt, duke marrë përgjegjësinë për dështimin në finale.

Pak orë pas finales, Federata Angleze e Futbollit ka denoncuar “sjelljen e pahijshme” të disa fansave në rrjetet sociale dhe i ka kërkuar policisë ndëshkimet më të ashpra. Mëngjesin e sotëm ishte vetë kryeministri Xhonson që reagoi për këtë çështje me një postim në Tuiter, ku shkruan: “Këta lojtarë meritojnë të lavdërohen dhe të quhen heronj, jo të sulmohen në rrjetet sociale. Është e turpshme për ata që e kanë bërë”.

Kryeministri Xhonson në stadium. Gazeta Si, 12 korrik 2021

Qëndrim ka mbajtur edhe deputeti laburist David Lammy. Ai është kundër atyre që kanë sulmuar Markus Rashford, Xhadon Sanço dhe Bukajo Saka, tre lojtarët që humbën penalltitë në finalen e së dielës: “Ky është motivi, për të cilin ne ulemi në gjunjë. Të lutemi për një të ardhme më të mirë, të denjë dhe me vlera. Duhet të respektojmë çdo lojtar anglez”.

Futbollistët nuk kanë komentuar, ndërsa në faqen zyrtare të Federatës Angleze të Futbollit shkruhej: “Jemi të indinjuar nga fakti që disa pjesëtarë të skuadrës sonë, që kanë dhënë gjithçka për fanellën e Anglisë, janë bërë objekt i sulmeve diskriminuese online”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë