Të paktën tre persona janë vrarë dhe 6 të tjerë janë plagosur në një seri të shtënash me armë në qytetin lindor francez të Strasburgut. BBC raporton se qindra forca policie kanë rrethuar zonën dhe tramvajet janë ndalur.
Incidenti thuhet të ketë ndodhur afër një tregu Krishtlindjesh në një nga sheshet qendrore, “Place Kleber”.
Ministria franceze e Brendshme konfirmoi një “ngjarje serioze të sigurisë publike” në Strasburg dhe u kërkoi banorëve të qëndronin në ambiente të mbyllura.
Gazetari vendas Bruno Poussard shkroi në Twitter se kishte pasur një duzinë të shtënash në rrugën në qendër të qytetit dhe më pas shpërthime.
Ndërkohë një video e postuar në mediat sociale thuhet se tregon njerëz të plagosur të shtrirë në rrugë. Një tjetër video tregon njerëzit që vrapojnë të frikësuar nga vendi i ngjarjes, pasi një zhurmë e madhe që ngjan me të shtëna mund të dëgjohet në sfond në një moment.
Deputetëve të Parlamentit Europian u është dërguar një mesazh që i këshillon ata të qëndrojnë brenda.
“Vendimi është marrë, që si një masë parandaluese të mbyllet ndërtesa e Parlamentit Europian në Strasburg. Ne ju kërkojmë të qëndroni të qetë dhe të sigurt brenda lokaleve të PE-së”, thuhet aty.
Disa eurodeputetë raportuan nga restorantet në qendër të qytetit, se kishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Deputeti i Yorkshire dhe Humber, Richard Corbett shkroi në Twitter se po konsumonte një vakt në qytet “kur pati të shtëna”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




