Bota

Sulm kibernetik ndaj aeroporteve europiane! Vonesa dhe anulime në Londër, Bruksel dhe Berlin

Nga Gazeta ‘Si’- Një defekt teknik, që i atribuohet një sulmi informatik ndaj Collins Aerospace – një furnizues i shërbimeve për sistemet e check-in-it dhe imbarkimit për disa kompani ajrore – ka ndërprerë ose ngadalësuar operacionet në disa nga aeroportet më të rëndësishme evropiane, përfshirë Brukselin, Berlin-Brandenburgun dhe Heathrow në Londër.

Janë raportuar vonesa dhe anulime fluturimesh.

Sipas një njoftimi nga zyra e shtypit e aeroportit të Brukselit, sulmi i dyshuar ka bërë që sistemet e automatizuara të bëhen të papërdorshme, duke lejuar vetëm procedurat manuale për check-in dhe imbarkim.

“Kjo do të ketë një ndikim të konsiderueshëm në orarin e fluturimeve dhe për fat të keq do të shkaktojë vonesa dhe anulime”, thuhet në faqen zyrtare të aeroportit.

“Vetë aeroporti nuk ka qenë objektivi i sulmit kibernetik, por është prekur indirekt”, ka sqaruar aeroporti i Berlinit.

Në një deklaratë të shpërndarë nga Heathrow, sqarohet se Collins Aerospace “ofron sisteme për check-in dhe imbarkim për shumë kompani ajrore në shumë aeroporte në mbarë botën”.

“Ndërsa furnizuesi po punon për ta zgjidhur problemin sa më shpejt, këshillojmë pasagjerët që të kontrollojnë statusin e fluturimit me kompaninë e tyre ajrore përpara nisjes”, thuhet më tej në deklaratë./ Corriere


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë