Ngjarje

Sulltan Novruzi, historia dhe rëndësia që ka për bektashinjtë

Nga Gazeta Si – 21 marsi shënon fillimin e pranverës, po për shumë njerëz në botë është gjithashtu nisja e Sulltan Novruzit, ose siç njihet ndryshe, Viti i Ri Persian.

Ndonëse shumica e vendeve në botë e festojnë më 21 mars, në Shqipëri kjo festë festohet më 22.

Novruz që ndryshe njihet si (Noërouz, Nooruz, Navruz, Nauroz ose Nevruz), në gjuhën perse do të thotë ‘ditë e re’ dhe është festuar për më shumë se 3000 vite. Tradicionalisht ajo nis sapo ndodh ekuinoksi pranveror. Në kalendarin iranian sot është dita e parë e vitit që daton gjithashtu me ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës.

Novruzi festohet në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore, Indi, Gjeorgji dhe Shqipëri.

Në 22 mars ka lindur imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. 22 Marsi bie në afërsi të kthesës pranverore të diellit, kur dita dhe nata bëhen njëlloj (ekuinoksi pranveror), pra simbolizon ardhjen e pranverës. Bektashinjtë njohin vetëm dy stinë (sipas traditës) pranverën dhe dimrin.

Kjo ditë festohet kudo ku jetojnë e predikojnë besimtarët bektashianë dhe simbolizon “shpëtimin e të varfërve dhe njerëzisë, nga dimri i acartë dhe skamja”.

Ardhja e pranverës i jep jetë, ushqim, ngrohtësi, bereqet, dashuri e gëzim të varfrit, të vobektit, të verbrit, të mjerit e kujtdo që lëngon nga shëndeti i keq. Kjo ditë sjell shpresë për më shumë mbarësi. Lindja e profetit Imam Ali kurrsesi nuk lejon që njeriu të kursejë ndihmën, “sadakanë për shpirt”.

Gatimet

Gatimet dhe ushqimet karakteristike për këtë ditë janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët simbolizojnë 12 imamët, 12 muajt e vitit dhe jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë për vitin e ardhshëm. Brenda byrekut futet një monedhë. Ai që gjen monedhën thuhet se është me fat. Ai do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi.

Gjithashtu gatuhet edhe përsheshi me pulë ose mish qengji, qengj i pjekur.

Sultiashi është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite. Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun. Këtë ditë merret edhe pak sherbet i kënduar në teqe dhe u jepet nga një lugë pjesëtarëve të familjes, miqve e të ftuarve në shtëpi atë ditë. Kjo me besimin se çdo kujt i dëshirohet mbarësi. Në disa raste për këtë festë gatuhet edhe kabuni (oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra).

Sulltan Novruzi bën thirrje për t’u ngritur mbi smirën, vesin e ligësinë, përcjell mesazhin për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerës sonë kombëtare, dashurinë për njeri-tjetrin, urtësinë, vëllazërimin mbarëkombëtar, tolerancën fetare dhe ndërfetare.

Nuk ka rëndësi se çfarë kurbani bëhet, sepse varet nga mundësitë që kanë njerëzit, e rëndësishme është që të bëhet kurban, byreku, ëmbëlsira dhe të ndahet me këdo që është në nevojë e kërkon ndihmë.

Historia e bektashizmit në Shqipëri

Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri, Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman, si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit.

Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë