Nga Fatjon Rupi – “Urdhëro këto 500 dollarë! I ke për të lëvizur me taksi, nuk dua të lëvizësh më këmbë, sepse ti je Demollari”, – i drejtohej presidenti i Dinamos së Bukureshtit njërit prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit shqiptar, pse jo dhe më të talentuarit në histori, Sulejman Demollarit. Ishte viti 1991, kur 29-vjeçari i Dinamos së Tiranës dhe Kombëtares kuqezi firmoste kontratën 3-vjeçare me klubin rumun, duke u bërë lojtari i parë shqiptar që firmoste një kontratë profesioniste. Dinamo e Bukureshtit duhej t’i paguante Dinamos së Tiranës 75 mijë dollarë, ndërsa Demollari, nga kontrata që sapo kishte firmosur, do të përfitonte 250 mijë dollarë. Po, po, 250 mijë dollarë, në vitin 1991…
Një menaxher grek kishte ardhur në Tiranë në vitin 1991 për të marrë në kampionatin fqinj lojtarët më të talentuar të Kombëtares sonë në atë kohë. Artur Lekbellon dhe Mirel Josën i çoi tek Arisi i Selanikut, ndërsa për Demollarin marrëveshja po vononte. “Menaxheri grek më takoi para ndeshjes, – kujton Demollari – dhe bëri foto pa fund me mua. U vendos që Mireli dhe Tushe (Lekbello) të shkonin tek Arisi. I thashë menaxherit: Ore, çfarë do bësh për mua? Ai më thoshte që të kisha durim, sepse po fliste për te Panathinajkosi. Një mik i imi, Vasil Toçi, ish-student në Rumani, ndërkohë kishte folur për mua në Bukuresht me drejtuesit e Dinamos. Ata kishin marrë informacion për mua dhe donin që të shkoja një javë në Rumani. Vendosa të shkoj, duke qenë se për në Greqi nuk po bëhej gjë dhe isha pushim në atë kohë. Thashë “po” dhe u bëra gati, por jo me bindjen se do të luaja atje. Nuk e kisha imagjinuar se çfarë më priste”.
“Parajsa” financiare rumune dhe fama e jashtëzakonshme
Josa dhe Lekbello kishin firmosur për 11 mijë dollarë për 3 vjet në Greqi dhe Demollari kërkonte me ngulm që edhe ai të firmoste një kontratë të tillë, por talenti i tij vlente më shumë. Po ku mund ta mendonte një lojtar nga Shqipëria, që sapo ishte shkëputur nga regjimi komunist, se befas do të merrte 250 mijë dollarë? Imagjinojeni vetë..! “Sapo zbritëm nga avioni, bashkë me mikun tim, Vasilin, na priste një makinë që na çoi në klubin e Dinamos, ku u takova me drejtuesit. Bisedat po i bënin ata dhe ramë dakord që të firmosja për 250 mijë dollarë në tre sezone. U shtanga, pasi nga 11 mijë dollarë që doja në Greqi, do të merrja 250 mijë dollarë. Mikut tim, Vasilit, i jam mirënjohës për gjithë jetën. Në një moment, presidenti i Dinamos thërret shoferin e tij dhe i thotë: Kostel, një javë do të qëndrosh me këta dy miq, do t’i çosh ku të duan ata, të marrin çfarë të duan ata dhe sa të duan ata. Shumë afër kisha dasmën dhe mora veshjet që më duheshin. Ishte një botë tjetër. U ktheva pas një jave në Shqipëri me 1500 dollarë në xhep. 500 i kisha që të lëvizja vetëm me taksi dhe 1000 ia dhashë babait. Ai u çudit, sepse praktikisht i dhashë një shtëpi, 1000 dollarë në vitin 1991. Vendosi të më shoqëronte në Rumani më pas, pasi kishte pak frikë”, – thotë më tej Demollari.

Mesfushori shqiptar u bë shumë shpejt i famshëm në Rumani, falë asaj që tregonte në fushë. U pagëzua me emrin “Demo” dhe u bë një idhull i vërtetë për tifozët e Dinamos së Bukureshtit, por edhe për sportdashësit në përgjithësi. 18 gola që në sezonin e parë dhe titull kampion. Një paraqitje e jashtëzakonshme për një mesfushor. Aventura rumune nisi mbarë dhe në një turne Demollari i shënoi dy gola portierit të njohur belg, Mishel Preud’home. “Eh Demo, sikur të ishe 3 vjet më i ri”, – i thoshte trajneri i famshëm rumun, Mirçea Luçesku. Mes shumë e shumë emocionesh, Demollari kujton një ndeshje derbi me Rapidin e Bukureshtit, që përfundoi 4-4 dhe ai shënoi 3 gola. “Ajo ndeshje është shumë e veçantë, jo vetëm se shënova 3 gola. Derbin me Rapidin e nisëm shumë mirë, shënova golin e parë nga jashtë zonës, na barazuan dhe më pas shënuam ne dy gola. Në pjesën e dytë na shënuan ata tre gola dhe në minutën e 90-të rezultati shkoi 4-3 për ata. Presidenti iku nga stadiumi, siç mësuam pas ndeshjes. Ishte kornja e fundit në minutën e 94-t dhe shënova golin e barazimit. Emocion i jashtëzakonshëm, madje për atë ndeshje u bë një emision i veçantë në Rumani. Siç na tregoi shoferi të nesërmen, presidenti dëgjoi për golin e 4-t në radio dhe pësoi një tronditje të fortë, iu desh të shkonte në urgjencë. Të nesërmen bashkëshortja ime kishte provimin e rumanishtes dhe profesori ishte një tifoz i thekur i Rapidit. ‘I pamëshirshëm bashkëshorti juaj, – i kishte thënë. E kisha të pamundur të dilja në qytet, sepse nuk më “linin rehat”. Maskohesha gjithmonë, me syze, kapele. Një ditë në park dëgjoj një zë: “Demo, Demo”. Ku më njohën mendova dhe ktheva kokën, por pashë që dikush i kishte vënë emrin qenit”.
Në momentin që përfundoi kontrata me Dinamon e Bukureshtit, Steaua u hodh direkt në sulm për “Demon”, që kishte mahnitur kryeqytetin rumun. Por me Steauan zhvilloi vetëm fazën përgatitore për një muaj, sepse tifozët e Dinamos vunë veton: të kthehet me çdo kusht Demollari! “Tifozët e Dinamos nuk donin kurrsesi që të luaja me Steauan dhe në atë kohë protestuan fuqishëm deri sa u riktheva. Për ta isha shumë i rëndësishëm”, – kujton Demollari, i cili më pas luajti edhe në Greqi me Panioniosin dhe në Hungari me Gyori, për ta mbyllur karrierën në moshën 37-vjeçare në kategoritë e ulëta të futbollit italian. Te Dinamo e Bukureshtit ai kishte edhe Perlat Mustën, ish-portierin e Kombëtares dhe Partizanit. Me 36 gola në rreth 100 ndeshje, “Demo” u bë një “Perëndi” për tifozët e Dinamos së Bukureshtit, nga të cilët votohet edhe sot si lojtari më i mirë i huaj në historinë e kësaj skuadre.
Dinamo e Tiranës dhe Kombëtarja
Para se të shkonte te Dinamo e Bukureshtit, Demollari shkëlqeu me Dinamon e Tiranës, ku e nisi karrierën si profesionist në vitin 1980, kur ishte shumë i ri, 17 vjeç. Një talent i rrallë, të cilin shumë personalitete të futbollin e konsiderojnë si më të madhin e futbollit shqiptar, pavarësisht vlerave të padiskutueshme dhe popullaritetit të Panajot Panos, por ky është një diskutim më vete. “Jo vetëm në familje, por as në fis nuk kam pasur më parë asnjë sportist. Talentin ma dha Zoti”, – shprehet Demollari. Dinamo kishte fatin e madh që në gjirin e saj të kishte këtë futbollist, po ashtu edhe tifozët e saj, të cilët i thurën shpejt korin: “Demollar, o Demollar, i bën mbrojtësit të hanë bar”. Ishte lojtari kryesor i Dinamos, që kishte një brez mjaft të mirë në atë kohë si Ilir Luarasi, Muhedin Targaj, Pjerin Noga, Naum Kove, Aleko Bregu, Shyqyri Ballgjini, Andrea Marko, Ilir Përnaska, Vasillaq Zëri, Halit Gega etj. Trajner ishin Sajmir Dauti dhe Stavri Lubonja. Për gati 11 vjet me fanellën blu dhe simbol i saj, me rreth 100 gola të shënuar dhe 3 tituj kampion të fituar në një kohë kur rivaliteti me Tiranën dhe Partizanin ishte mjaft i madh. Interesant është fakti që dy klubet rivale nuk arritën t’ia merrnin Dinamos Demollarin, por ai ka luajtur një ndeshje të vetme me Tiranën. Një jetë e lidhur me Dinamon, pasi edhe shtëpia e tij është ngjitur me kompleksin sportiv të klubit, që tani fatkeqësisht nuk ekziston më. Teksa flet për Gazeta Si, Demollari sheh drejt këtij kompleksi dhe më zë të ulët thotë: “Ky është një krim, pavarësisht se nesër do të jetë diçka luksoze”. Ka parasysh faktin që fushat e kohës së tij, nga të cilat dilnin gjithmonë talente, tani nuk janë më dhe për të është një fakt shumë i dhimbshëm.

Për gati 12 vjet pjesë e Kombëtares, titullar i padiskutueshëm dhe kapiten. Një lojtar kyç i një grupi, ku bënin pjesë emra të tillë si Hysen Zmijani, Shkëlqim Muça, Muhedin Targaj, Skënder Gega, Adnand Ocelli, Arben Minga, Agustin Kola, Sokol Kushta, Mirel Josa, Bedri Omuri, Perlat Musta etj. “Me Kombëtaren kam kujtime shumë të bukura, sepse kombëtarja është diçka shumë e veçantë. Ai gol i shënuar dhe i anuluar në stadiumin “Uembli” më ka mbetur peng. Ma kanë kujtuar edhe gazetarët anglezë kur isha trajner i Kombëtares, edhe ata nuk e kishin kuptuar pse ishte anuluar. Në fillim kam luajtur me ekipin Shpresa, por edhe me Kombëtaren, pasi kisha moshën. Për një kohë të shkurtër, në vitin 2001, kam qenë edhe trajner i Kombëtares, bashkë me Mirel Josën, dhe kjo është një kënaqësi më vete”, – thotë ish-lojtari. Demollari ka 45 ndeshje me përfaqësuesen kuqezi.
Përveç ekipit Kombëtar në vitet 2001-2002, Sulejman Demollari ka drejtuar edhe dy skuadra të kampionatit shqiptar. Natyrisht, Dinamon e tij të parën dhe më pas Lushnjën.

Sportisti dhe njeriu model
Përveç talentit, që ia fali Zoti, Sulejman Demollari ka qenë edhe një sportist model, shumë i kulturuar, korrekt dhe gjithmonë “fair-play”. Po i tillë edhe në jetën jashtë sportit. Nuk ka neglizhuar kurrë, madje edhe ditën e dasmës ka dalë në stërvitje. Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, në një studio televizive ka deklaruar: “Në kaq e kaq vite, si nuk e dëgjuam një herë që Dinamos i mungon Demollari?” Për këtë aspekt Demollari shprehet: “Po, nuk kam munguar kurrë në ndeshje dhe në stërvitje. Mund të duket çudi, por nuk kam asnjë gërvishtje në trup, pavarësisht se kam luajtur shumë e shumë ndeshje. Në shi apo vapë, kam qenë në fushën e stërvitjes. E kam dashur futbollin me shpirt. Kur gjithë shokët në atë kohë, kur dilnim jashtë, blinin xhinse apo ku e di unë çfarë, unë blija vetëm materiale sportive. Isha i veshur i gjithi me “Adidas”. Kam dashur gjithmonë të luaj, një herë kam shkuar edhe në Delvinë për ndeshje kupe, edhe pse trajneri nuk donte të më merrte. Me kolegët kam qenë gjithmonë korrekt. Kujtoj një rast në Kombëtare, kur u kthye Agustini (Kola). I dhashë shiritin e kapitenit, pasi ai e kishte më parë, por ai refuzoi dhe më tha: Sule, nëse nuk e mban ti shiritin, unë nuk dal në fushë. Ky vlerësim ishte diçka e madhe për mua. Kam dashur gjithmonë të jem një sportist i edukuar dhe të jap shembullin tim. Në Rumani më kujtonin shpesh se kisha marrë vetëm një karton të verdhë në 3 vjet e gjysmë. Kisha protestuar një herë më shumë se duhej te gjyqtari për një penallti, që në fakt ishte një simulim, dhe ai më dha karton të verdhë për respektin që kishte krijuar për mua, pasi mund të më jepte edhe të kuq, ngaqë e kalova pak cakun me fjalorin tim.”
Sulejman Demollari sot
Pak kohë më parë, presidenti i Republikës, Ilir Meta, u shpreh me habi se si ka mundësi që Sulejman Demollari nuk ishte dekoruar me medalje, teksa i akordonte titullin “Mjeshtër i madh”. Vërtet është e habitshme në fakt që një sportist i përmasave të tilla të mos ishte nderuar me të gjitha çmimet që i takojnë. Sulejman Demollari është aktualisht i angazhuar në Federatën Shqiptare të Futbollit, konkretisht me zyrat rajonale të futbollit të moshave. Jo vetëm për brezin që i përket dhe tifozët e dy Dinamove, të Tiranës dhe të Bukureshtit, por për gjithë futbolldashësit në përgjithësi ai mbetet një legjendë, një lojtar unik në llojin e tij. 20 vjet karrierë si futbollist, gola pa fund, edhe pse mesfushor, tituj të fituar, më pas trajner dhe tani zyrtar.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.