Në këtë periudhë merkatoje futbollistësh, realiteti më i ri, Arabia Saudite, që në një farë mënyrë mendohet se po “sulmon” në rastin më të mirë, apo po “prish” futbollin në Europë, është ajo që po tërheq disa prej emrave të mëdhenj me shuma marramendëse parash.
Prej vitesh, i konsideruar si biznes, loja më e bukur në botë, futbolli, ka ndryshuar mentalitetin, apo perceptimin edhe në Shqipëri, që me rënien e regjimit komunist, fillimi i viteve ’90. Ndërkohë, në mbarë globin, edhe më herët, ishin klubet me më shumë para ato që blinin lojtarët më të mirë, që tifozeria, shpesh i konsideronte edhe ‘mercenarë’, nisur nga fakti se nga sezoni në sezon, ata “tradhëtonin” fanellat e tyre të dashura.
Në vitin 1991 në Shqipëri, “Arabia Saudite” mund të quhej Greqia për disa lojtarë të kampionatit shqiptar, apo edhe Rumania me transferimin e bujshëm të një prej lojtarëve më të mëdhenj të historisë së futbollit shqiptar, Sulejman Demollari. Ish-ikona e Dinamos dhe kombëtares shqiptare në një rrëfim ekskluziv për gazetën Si, tregon atë lëvizje merkatoje, e para në jetën e tij dhe peripecitë e gjithçkaje që ndodhi.

“Ishte ndeshja e fundit e kombëtares, ndërkohë që kampionati kishte mbaruar në datën 5 qershor. Do të luanim atë ndeshje me kombëtaren dhe të gjithë futbollistët iknin me pushime. Kombëtarja në atë kohë ishte grumbulluar tek ish-kompleksi Dinamo. Që nga muajt e parë nga janari e shkurti dhe marsi i vitit 1991, filluan të largoheshin disa lojtarë. Ndër të partë që iku në atë periudhë ishte Strakosha, gjeti mundësinë për të lëvizur dhe përfundoi në Janinë. Në ato muaj në Shqipëri kishte ardhur një menaxher grek, Tasos quhej. Ai merrej me futbollistët shqiptarë për t’i transferuar në Greqi”, tregon Demollari.
Menaxheri grek që transferonte futbollistët në Greqi

“Në grumbullim erdhi Tasos dhe kishte bërë disa biseda për transferimin e Mirel Josës, Artur Lekbellos dhe mua, do ta çonte në Greqi. Josë dhe Lekbellon – më tha – i rregullova, do të shkojnë në Selanik, ndërsa ti do të presësh dhe disa ditë, pasi jam në tratativa me Panathinaikosin.
I thashë: Çfarë presim? Hajde mbaro punë edhe me mua! Pasi në atë kohë mendimi ishte vetëm të ikim, se si ikim dhe se ku ikim, nuk kishte rëndësi. Më keq se këtu nuk kishte asgjë, kudo që do të iknim ishte shumë më mirë. Besoj e mbani mend se si ishte në fillimet e viteve ’90. Po atë ditë në grumbullim vjen edhe Vasil Toçi, një pedagog në Institutin Bujqësor, por mbaruar shkollën në Rumani në vitet ’60. Ai ishte futbolldashës, pasi ishte tifoz i madh i Tiranës ishte dhe daja i Xhorxh Pukës, ish-lojtari i Dinamos.
Ai më thotë: “Kam folur me ata të Dinamos së Bukureshtit, po pate dëshirë ata të presin”. Ne kishim luajtur me Dinamon e Bukureshtit një vit më parë, fituam 1-0 në Tiranë dhe u mundëm 2-0 atje. Ndërkohë, unë Rumaninë e njihja disi, pasi ndeshjen e parë atje e kam bërë që në vitin 1986”, shton Sulejman Demollari.
“Interesant ishte fakti se si Vasil Toçi e kishte marrë ofertën për mua. Duke qenë se ishte në Bukuresht, i kthyer atje pas hapjes së kufijve, Dinamo e Bukureshtit e ka stadiumin në qendër të qytetit. Si tifoz Vasili kishte hyrë dhe po shihte stërvitjen e ekipit dhe i kishte thënë Luçeskut: “Vij nga Shqipëria, a mund të bëj një foto?”. Trajneri, pasi dëgjoi fjalën Shqipëria, i kishte thënë: “Jam i sigurtë që e njihni, por a mundesh atë Demollarin ta sjellësh këtu?” Dhe vasili në këtë formë i hyri kësaj historie”.
Udhëtimi me pishman drejt Rumanisë…
“Megjithatë edhe Rumaninë ne e mendonim si vetja jonë, edhe ata pak para nesh kishin dalë nga regjimi i tyre komunist, për këtë arsye ne e kishim mendjen këtej nga Greqia. Megjithatë, Vasili kishte biletën e avionit në xhep dhe para xhepi për rrugës. Dhe mendova, pas kësaj ndeshjeje me kombëtaren, pushim isha dhe thashë “po shkoj ta shoh një herë”.
Në atë kohë, ka qenë linja “Tarom”, Tiranë-Romë-Bukuresht. Sa zbritëm në Bukuresht, tek shkallët e avionit na priste një makinë personale. Më vonë, unë kuptova që edhe atje, Dinamo kishte një pushtet si skuadër e Ministrisë së Brendshme. Nga aty direkt te zyrat e Dinamos. Më kujtohet si tani në zyrë, presidenti i klubit Vasile Ianul dhe trajneri ishte Mircea Luçesku. Dhe ndër fjalët e trajnerit Luçesku në atë takim mbaj mend fjalinë: “Ah Demo, sikur të ishe edhe 3 vjet më i ri”, ndërkohë unë isha 28 vjeç. Sepse në ato vite kishte tjetër koncept për moshën dhe futbollin. Në Shqipëri unë me ato ritme edhe një vit apo dy mund të luaja. Mund t’ju kujtoj këtu Ilir Përnaskën, i cili e mbylli karrierën 28 vjeç”.
Vlera astronomike e Dinamos së Bukureshtit për Demollarin!
“Pasi biseduam pak, presidenti i klubit më dha shoferin dhe më çuan në hotel. Më pas, nga pasditja, vjen Vasili dhe më takon. “Demo çohu – tha – se u mbyll ai muhabet. Po vjen presidenti të na takojë”. Unë i habitur i thashë: Çfarë u mbyll?” “E mbylla – më tha – për 250.000 dollarë”. Dhe e imagjinoni dot këtë shifër në 1991? Unë në Tiranë paguhesha me rrogë të mirë që quhej atëherë, 800 lekë, rreth 30 dollarë në muaj me kursin e asaj kohe.
Unë u shokova, pasi më kujtohej, që kur Mirel Josa dhe Tushja (Artur Lekbello) e mbyllën në Selanik me 11 mijë dollarë, shifra ime më dukej sikur kisha kapur qiellin me dorë.
Erdhi presidenti më pas dhe u ulëm të tre bashkë me Vasilin. Ne një vit më parë me Dinamon e Tiranës, përpara se të luanim me Dinamon e Bukureshtit, luajtëm një ndeshje me Çerno Morën e Bullgarisë. Unë bëra gol edhe në Bullgari, edhe në Tiranë, ndërkohë që presidenti i DInamos së Bukureshtit dhe Luçesku i kishin ndjekur ndeshjet, pasi fituesi i atij çifti luante më pas me ekipin e tij.
Ai kujtoi këtë episod dhe më pas u kthye te shifra e transferimit, duke u justifikuar që jemi në vështirësi. Ndërkohë që unë aty e mësova që Profesor Toçi e kishte filluar bisedën nga 1 milion dollarë që kishte zbritur në 250.000, një intuitë e tij si të ishte menaxher futbolli, ndërkohë që në ato vite, aq më tepër tek ne, këto gjëra nuk njiheshin fare. Ndërkohë, presidenti më pyeti për familjen, kë do merrja për ta transferuar në Bukuresht. Ndërkohë, që udhëtimet atëhere ishin të rralla, nuk e harroj si sot, ishte e mërkurë, dhe ne e kishim biletën për të mërkurën tjetër. Me pak fjalë do të rrinim edhe 1 javë në Rumani. Presidenti thirri shoferin e tij, që nuk e harroj, e kishte emrin Kostel, dhe i tha: “Një javë që janë këta këtu, ti je në dispozicion të tyre”.
U largua presidenti nga hoteli dhe unë me Vasilin e gdhimë gjtihë natën, nuk na zinte gjumi. Rrinim dhe mendonim a është e vërtetë kjo?!

Bukureshtit, viti 1993
Si një ëndërr do të dukej edhe sot në të vërtetë oferta që kishte marrë Sulejman Demollari për të luajtur për 3 vite nga Dinamo e Tiranës te Dinamo e Bukureshtit për 250.000 dollarë, kur në ato vite, rroga e tij në Shqipëri ishte 800 lekë. Megjithatë ajo që e priste atje dhe ëndrra e tij kaq e bukur, nuk do të zgjaste për shumë kohë. Siç shton vetë Sulejman Demollari, në këtë rrëfim ekskluziv për Gazetën “Si”, burgosja e presidentit do të ndryshonte rrjedhën e ekipit të Dinamos dhe të tijën.
“Unë u ktheva në Tiranë, mora të fejuarën atëherë, sepse më pas edhe dasmën e bëra në Bukuresht edhe vajza e parë lindi po atje. Gjithashtu me ne erdhi edhe babai i ndjerë, pasi nëna nuk erdhi (dhe kur më kujtohet babai përlotem dhe u përlota edhe atëherë për gjithë sakrificat që kishte bërë për mua).
U sistemova në Bukuresht për rreth një vit e gjysmë ndenjëm po tek ai hotel. Ndërkohë, sa i përket kontratave nuk ia kishim idenë fare si bëheshin, apo çfarë pikash e klauzolash. Dhe profesori kur po firmosnim më tha Demo, 3 vjet thonë këta si thua? Ore 300 vjet rri, vetëm të bëhet, i thashë e të jetë e vërtetë. Aty presidenti më thotë, vërtetë kontrata është 250.000, por tani në dorë po të jap 100.000 dollarë që të bësh diçka në vendin tënd, për të blerë ndonjë shtëpi, apo për të bërë ndonjë investim. Ndërkohë në atë kohë në Shqipëri maksimumi me 10.000 dollarë blije shtëpi, mbaj mend që Profesor Vasili bleu në Bukuresht një shtëpi për 5000 dollarë, me sa mbaj mend”.
Rekordi historik i Demollarit në Bukuresht, që vazhdon ende!
“Në një vit e gjysmë fiks, skuadra jonë e Dinamos së Bukureshtit vendosi një rekord që vazhdon ende sot, pasi ne bëmë vetëm 4 barazime dhe të gjitha fitore. Në fakt, sa i përket rivalitetit të klubeve atje, edhe Bukureshti kishte një ndarje të ngjashme me Tiranën. Skuadra me më shumë tifozë atje ishte Rapidi i Bukureshtit që ishte skuadra e Bashkisë, ekuivalentja e skuadrës së Tiranës këtu, më pas ishte Dinamo Bukureshtit që përfaqësonte Ministrinë e Brendshme dhe Steaua e Bukureshtit, që shqip ishte si Partizani dhe varej nga Ministria e Mbrojtjes.
Aktivizimi im ishte 100% në atë periudhë, ndërkohë që u ndihmova shumë edhe nga fati. Unë luaja si mesfushor organizator dhe në përgjithësi nuk shënoja shumë gola, por në vitin e parë atje theva rekordin personal me 18 gola. Ndërkohë, sulmuesi ynë i ekipit ishte me 17 gola. Në katër pesë javët e fundit vetë presidenti më thotë, Demo duhet ta ndihmosh Xhester Majeri, që ishte sulmuesi ynë, me origjinë hungareze, por me pasaportë rumune, të shënojë disa gola më tepër sepse do ta shesim. Në fund ai e mbylli me 21 gola unë me 18″.
Një herë kampion, në 3 vite me Dinamon e Bukureshtit
“Në 3 vitet që isha unë dolëm një herë kampion, një sezon e humbëm javën e fundit. Ndërkohë nuk kishim trajner Luçeskun, pasi ai iku tek Breshia. Madje shkuam atje luajtëm një ndeshje miqësore, në atë kohë ai në ekip mbaj mend kishte edhe Pirlon. Ne kishim trajner një holandez nga Ajaksi, Rinus Izrael dhe një rumun Hallaxham me origjinë armene.
Që vitin e parë te Dinamo e Bukureshtit më kërkoi Austria e Vienës, por më mori veç presidenti dhe më tha: “Më ka erdhur një ofertë shumë e mirë për ty, por unë më mirë i shes të gjithë dhe ty nuk të shes”. Më pas në vitin dytë timin, presidenti u arrestua për evazion fiskal. Madje mbaj mend që shkuam edhe ne në prokurori deponuam për çështjen e parave që kishim marrë. Aty skuadra u shpërbë dhe mua më erdhi oferta nga Panioniosi. Një ofertë prej 250.000 dollarë për një vit”.
Vizita tek ish-presidenti në burg!
“Pasi e lashë futbollin dhe jetoja në Itali, luaja në Serie D, ku u bë një ndeshje veteranësh midis Steaua Bukureshtit me Dinamon e Bukureshtit. Mbaj mend që nga Shqipëria në tribunë ishte Pandeli Majko. Aty i kërkova dikujt, që a mundem të shkoj për një vizitë te presidenti në burg. Më çuan atje dhe rrugës u bashkuan shumë policë tifozë, kur më panë mua e më shoqëronin për tek presidenti. Kur e pash atë aty, u emocionova shumë dhe më erdhi shumë keq. Ai nga ana tjetër filloi duke qarë dhe më tha një fjali shumë prekëse që nuk do ta harroj kurrë… “Demo, ke marrë rrugën nga atje ku jeton për të më takuar mua këtu në burg? Unë nuk i bëra futbollistë ata lojtarë që shkuan në Europë, ata i bëre ti… ata janë në Bukuresht sot dhe asnjëri nuk erdhi të më takojë!”.
* Sulejman Demollari është një nga figurat më të shquara të historisë së futbollit shqiptar. Ai ka qenë futbollist për shumë vite në ekipin e Dinamos në vitet 1981-1991 dhe në ekipet kombëtare që prej vitit 1981. Demollari ka luajtur mbi 60 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare. Ai ka pasur gjithashtu edhe një karrierë të gjatë edhe me shumë ekipe të tjera të huaja si Dinamo e Bukureshtit etj. Tregues është fakti që Demollari ka qenë kapiten i skuadrës në secilën prej skuadrave ku ai ka luajtur. Ai ka qenë trajner i disa ekipeve shqiptare si Kombëtarja U-15 dhe Ekipi Kombëtar “A”, Ekipi i Dinamos, Tiranë, me ekipin e Lushnjes, të Peqinit, Skraparit etj. Mban tituj të rëndësishëm si “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar” etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




