Suedia është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga vendet e para “pa duhan” në botë, me më pak se 5% të popullsisë së rritur që pi duhan.
Ky moment historik mund të arrihet muajt e ardhshëm, 17 vite përpara objektivit të BE-së për vitin 2040, me normat e duhanpirjes që kanë rënë nga 15% në 5.6% gjatë 15 viteve të fundit.
‘Asnjë vend tjetër i BE-së nuk është as afër këtij objektivi”, tha për Euronews Delon Human, bashkëautor i raportit “Përvoja Suedeze: Një Udhërrëfyes për një Shoqëri Pa duhan”.
Ai vuri në dukje se “strategjinë novatore” të Suedisë për të trajtuar duhanpirjen, përfshinin ndihmën për duhanpirësit që të kalojnë në alternativa “më pak të dëmshme”, të tilla si snus, qeskat e nikotinës dhe cigaret elektronike.
“Kjo vjen në një kohë kur vendet e tjera po ndalojnë përdorimin e produkteve me rrezik të reduktuar”, vazhdoi Human.
I popullarizuar në vendet nordike, snus është një lloj duhani i thatë që vihet në mishrat e dhëmbëve. Shitja e tij është e paligjshme në çdo vend të BE-së megjithëse përdoret gjerësisht në Finlandë, Danimarkë dhe Estoni.
Snus është i lidhur me një rrezik në rritje të kancerit të gojës dhe fytit.
Duke i shpallur luftë pirjes së duhanit, Portugalia kohët e fundit ndaloi pirjen e cigareve elektronike në hapësirat e jashtme pranë ndërtesave publike, duke ndjekur hapat e disa vendeve të tjera europiane.
“Nuk ka produkte duhani pa rrezik, por cigaret elektronike, për shembull, janë 95% më pak të dëmshme se cigaret”, tha Human për Euronews.
“Është shumë më mirë për një duhanpirës të kalojë nga cigaret tradicionale në produkte alternative sesa të vazhdojë të pijë duhan”.
Çfarë ndikimi ka pasur në Suedi lënia e duhanit?
“Përfitimet e strategjisë së Suedisë janë të mëdha”, thotë Human.
Ai vuri në dukje statistikat që tregojnë se vendi ka përqindjen më të ulët të sëmundjeve të lidhura me duhanin në BE dhe një incidencë 41% më të ulët të kancerit sesa vendet e tjera europiane.
Suedezët gjithashtu kanë një shkallë më të ulët të vdekjeve për sëmundjet e lidhura me duhanin, si goditjet në tru, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive dhe bronkiti kronik.
Ndërsa ‘lidhja’ e duhanpirësve me një larmishmëri alternativash ka luajtur një rol, edukimi dhe masat e kontrollit të duhanit kanë ndihmuar gjithashtu njerëzit të lënë duhanin.
Shifrat nga Tatimet tregojnë se cigaret u taksuan me 4.51 euro në Suedi në 2021, duke e vendosur atë rreth mesatares së BE-së.
Franca dhe Irlanda kanë tarifat më të larta për cigaret në BE, ndërsa Bulgaria dhe Polonia kanë më të ulëtat.
Përfaqësues të fushatës ‘Smoke Free Sweden’ thonë se fushatat e Suedisë kundër duhanit kanë shpëtuar më shumë se 3400 jetë çdo vit, duke shtuar se 2.84 milionë jetë në të gjithë BE-në mund të ishin shpëtuar, nëse vendet e tjera do të kishin ndjekur shembullin e tyre.
Bullgaria ka numrin më të lartë të duhanpirësve, me 28.2% të popullsisë që konsumojnë duhan çdo ditë. Më pas vjen Turqia (27.3%), Greqia (27.2%), Hungaria (25.8%) dhe Letonia (24.9%).
Suedia ka vite që lufton cigaren. Pirja e duhanit u ndalua në të gjitha baret dhe restorantet në fillim të vitit 2005.
Në vitin 2019, ndalimi u zgjerua duke përfshirë çdo vend publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



