Suedia po mbyll kishat dhe saunat në shumë prej qyteteve të saj në një përpjekje për të ulur konsumin e energjisë dhe për të ulur kostot këtë dimër.
Andreas Mansson, një inxhinier që mbikëqyr nevojat energjetike të kishave në dioqezën e Lundit, tha se 150 nga 540 kishat në dioqezë do të mbyllen plotësisht ose pjesërisht këtë dimër si pjesë e përpjekjeve kombëtare për të reduktuar konsumin e energjisë.
“Nuk ka dyshim se ngrohja është shpenzimi më i madh, shumë ndërtesa kanë izolim mjaft të keq”, tha ai për të përditshmen lokale Dagens Nyheter.
Lundi ka investuar “shumë për t’i bërë ndërtesat më efikase”, tha ai, “por ne ende po flasim për ndërtesa të mëdha që harxhojnë shumë”, tha ai.
Ato kisha që do të qëndrojnë të hapura do të ulin ngrohjen në 11 ose 18 gradë për të ulur kostot e larta të energjisë në mënyrë që ato të mund të funksionojnë gjatë gjithë sezonit, raportoi P4 Radio Halland.
“Ka të bëjë me mbajtjen e buxhetit tonë në ekuilibër dhe padyshim gjithashtu për të treguar solidaritet me pjesën tjetër të shoqërisë”.
Gjithashtu, saunat dhe pishinat e ngrohta ose do të mbyllen ose do të funksionojnë me temperaturë të ulët.
Në Malmo, për shembull, këshilli i qytetit po planifikon të mbyllë plotësisht objektet ose të ulë temperaturën në pishina.
Në një intervistë me transmetuesin publik SR, kryebashkiaku i Malmos, Katrin Stjernfeldt Jammeh tha: “Ne kemi qendra të kohës së lirë me shumë energji intensive me sauna, me pishina të ngrohta për shembull dhe këto po I shohim që ti mbyllim përkohësisht’.
Autoriteteve qeveritare në 200 komuna suedeze iu kërkua gjithashtu nga qeveria që të reduktonin konsumin e tyre të energjisë para muajve të dimrit.
Në fillim të këtij muaji, Ministri i Energjisë Khashayar Farmanbar tha se autoritetet dhe sektori publik “mund dhe duhet të udhëheqin rrugën për këtë” dhe se është e rëndësishme “që e gjithë shoqëria të kontribuojë në uljen e përdorimit të energjisë”.
Vendet europiane po marrin masa të ndryshme për të kufizuar përdorimin e energjisë pas rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit natyror.
Rritja e çmimit është shkaktuar pjesërisht për shkak të kërcënimit të Rusisë për të ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Europë si hakmarrje ndaj sanksioneve nga vendet perëndimore për luftën e vazhdueshme në Ukrainë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




