Bota

Suedia dhe Finlanda thirrje banorëve: Përgatituni për mundësinë e luftës

Nga Gazeta 'Si'- Suedia ka nisur t’iu dërgojë banorëve rreth pesë milionë fletëpalosje, duke iu bërë thirrje që të përgatiten për mundësinë e luftës.

Njëjtë edhe shteti fqinj, Finlanda, ka lancuar një faqe interneti me thirrje të ngjashme, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Si Suedia, ashtu edhe Finlanda, kanë hequr dorë nga neutraliteti që kanë ruajtur për dekada, dhe i janë bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s, pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Prej nisjes së luftës, Stokholmi u ka bërë thirrje vazhdimisht suedezëve që të përgatiten si mendërisht, ashtu edhe në aspektin logjistik për mundësinë e luftës, duke përmendur situatën serioze të sigurisë në afërsi.

Udhëzuesi “Nëse përballemi me krizë apo luftë”, i nisur prej Agjencisë Suedeze të Kontigjencave Civile, përmban informacion se si duhet të përgatiten banorët për emergjenca sikurse lufta, katastrofat natyrore dhe sulmet kibernetike.

Udhëzuesi është një version i përditësuar i fletëpalosjes që Suedia e ka lëshuar pesë herë prej Luftës së Dytë Botërore.

“Situata e sigurisë është serioze dhe duhet të forcojmë qëndrueshmërinë për t’u përballur me kriza apo edhe ndonjë luftë”, ka thënë Mikael Frisell nga Agjencia Suedeze e Kontigjencave Civile.

Në udhëzues përmendet edhe se si duhet siguruar edhe ruajtur ushqimi dhe uji. Agjencia ka thënë se udhëzuesi i përditësuar i vitit 2024 ka në fokus përgatitjen për luftë.

Në dy javët e ardhshme, udhëzuesin pritet ta pranojnë 5.2 milionë shtëpi në Suedi. Udhëzuesi është përgatitur në gjuhën suedeze dhe në disa gjuhë tjera./ REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë