Gazeta Si – Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin, të shoqërura me erëra të forta që prej orëve të para të mëngjesit të të enjtes, do të vijojnë edhe të premten. Era e fortë ka shkaktuar rrëzimin e disa pemëve në Pyllin e Sodës në Vlorë.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses për të hequr pemët e rrëzuara nga një zonë, pasi ishte bllokuar rruga për qarkullimin e automjeteve.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Bashkia e Vlorës ka paralajmëruar qytetarët për stuhi të forta në ditët në vijim.
“Parashikimet e meterologëve paralajmërojnë mot të përkeqësuar. Stuhi të forta do të intensifikohen në vazhdim, për këtë arsye do t’ju luteshim të shmangni lëvizjet e panevojshme me automjete në akset problematike, si dhe parkimin e automjeteve në to. Paralajmërimet e meteorologëve për furtunë, kërkojnë të jemi të kujdesshëm! Për çdo nevojë urgjente kontaktoni me Shërbimet Publike të Bashkisë dhe Ujësjellës Kanalizime, ose në faqen tonë zyrtare në Facebook”, thuhet në njoftim.
Shpejtësia e erës këtë të enjte ka sjellë edhe problematikat e para. Një shtyllë tensioni e lartë ka rënë në afërsi të bazës së Pashalimanit në Vlorë, duke ndërprerë furnizimin me energji të objektit, por dhe të antenave në malin e Karaburunit.

Dy incidente nga erërat e forta në Kuçovë
Dy incidente kanë ndodhur në Kuçovë paditen e të enjtes, ku si pasojë e erës së fortë, një 26-vjeçar me iniciale M.V., është rrëzuar nga soleta e një banese ku po punonte në fshatin Tapi.
Po ashtu, mësohet se si pasojë e erës është rrëzuar një depozitë uji nga tarraca e një banese. Për pasojë është lënduar një 17-vjeçare, e cila ishte duke ecur në rrugë në momentin e incidentit. Të dy të lënduarit ndodhen në spitalin Rajonal të Beratit, duke marrë kujdes shëndetësor.
Ndërkohë, që prej mërkurës (30 mars), lundrimi dhe puna në Portet e Vlorës dhe Durrësit është pezulluar. Tragetet e linjave mes Italisë e Shqipërisë ndodhen të ankoruar në porte pa mundur të nisen nga të dyja brigjet. Peshkarexhat dhe mjetet e tjera lundruese po ashtu jnë të ndaluara të dalin në det deri të premten, 1 prill.
Ndërsa 4 anije tregtare kanë mbetur në kalatat e Portit Durrës pa u shkarkuar për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Kushtet atmosferike pritet të përmirësohen vetëm pas mbrëmjes së të premtes.
Reshje shiu në të gjithë vendin të enjten dhe të premten
Ndërkohë, Gadishulli i Ballkanit po ndikohet nga një qendër me presion të ulët atmosferik dhe masa ajri të paqëndrueshme, të cilat do të sjellin reshje shiu në vendin tonë gjatë ditës së sotme.
Këtë të enjte moti është me vranësira dhe reshje shiu në të gjithë vendin. Era ka drejtim nga Jugu me shpejtësi 10-20 m/sek në bregdet. Valëzimi është i forcës 5-6 me lartësi vale 1,5 deri në 2,5 metër në det hapur. Temperaturat do të jenë me rritje në mëngjes.
Temperaturat minimale dhe maksimale:
Zona malore 8/15°C
Zona e ulët 10/19°C
Zona bregdetare 12/20°C
E Premte, 1 prill 2022
Moti do të jetë me vranësira dhe reshje shiu me stuhi me aktivitet kryesor në zonën veri-perëndimore dhe reshje bore në zonat malore. Era do të jetë me drejtim Jug me shpejtësi 10-20 m/sek në bregdet. Valëzimi do të jetë i forcës 6 me lartësi vale 1,5 deri në 2,5 metër në det hapur. Temperaturat do të jenë me rënie.
Temperaturat minimale dhe maksimale:
Zona malore 5/15°C
Zona e ulët 8/18°C
Zona bregdetare 10/18°C
Meteorologe: Rezarta Xhakollari
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




