Gazeta Si – Vlora është përfshirë nga një stuhi me rrebeshe shiu, trafik dhe kaos pasditen e kësaj të marte, edhe pse në kulmin e sezonit veror.
Si pasojë e shndërrimeve të befasishme klimatike teksa turistët e qytetarët ndodheshin në plazh, brenda pak minutash qielli është ngrysur dhe shiu i rrëmbyeshëm dhe era e fortë kanë përshkuar qytetin bregdetar.
Reshjet e shiut të rëna me intensitet të lartë për pak minuta kanë bërë që rrugët kryesore të qytetit të përmbyten si pasojë e prezencës së lartë të ujit.
Siç shihet nga pamjet, niveli i ujit në rrugë është rritur, ndaj bashkia ka shpallur gjendjen e emergjencës.
Shiu ka pasur intesitet të lartë, duke krijuar probleme në edhe disa lagje, kryesisht në infrastrukturën rrugore.
Në brendësi të lagjes ‘Pavarësia’, ‘Skelë’, por dhe përgjatë bulevardit kryesor, ka pasur jo vetëm vështirësi qarkullimi dhe pamundësi për të lëvizur, por edhe rrëke uji nëpër rrugë.
Një prej rrugëve dhe zonave më të prekura nga përmbytjet e shiut të verës është edhe ajo “Albano dhe Romina”, ku ka prezencë të madhe uji dhe vështirësi për qarkullim.
Përmbytjes nuk i ka shpëtuar as lagja e vjetër historike e “Muradies”. Lumenj uji nëpër rrugë që kanë kthyer përmbys çadra, tavolina dhe karrige lokalesh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Klientë që kanë lënë porositë nëpër tavolinat jashtë dhe janë larguar për të gjetur strehë, teksa shiu me rrëke përfshinte të gjithë qytetin.
Shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë me pastrimin e pusetave për të ndihmuar në largimin e ujërave dhe rivendosjen e normalitetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


