Rishikimi i Zonave të Mbrojtura po ngjall shqetësimin e studiuesve dhe aktivistëve të natyrës në Shqipëri.
Ata thonë se shohin një kërcënim të ri për ndërtime sidomos në zonën bregdetare dhe një përshkallëzim të shkatërrimit të zonave të mbrojtura.
Kryeministri Rama tha se rishikimi lidhet me një kërkesë të vazhdueshme këmbëngulëse të një numri të konsiderueshëm kryetarësh bashkish.
Studiues dhe aktivistë të mjedisit po kundërshtojnë ashpër në Shqipëri planet e qeverisë për rishikimin e zonave të mbrojtura natyrore. Një nismë e 12 deputetëve të mazhorancës socialiste synon ndryshime të reja në ligjin për Zonat e Mbrojtura që në thelb kanë krijimin e hapësirave ligjore për projekte zhvillimore në funksion të bashkive.
“Ndërhyrja në zonat e mbrojtura është një risi që sjell pasoja aq më tepër kur bëhet për qëllime që thuhen në emër të zhvillimit, në emër të turizmit”, thotë profesori i shkencave të natyrës në Iniversitetin e Tiranës Aleko Miho, duke shtuar se tani po ndërhyhet në Zonat e Mbrojtura se janë të vetmet që janë të prekura.
“Po i rrudhim dhe ato në minimum dhe në këtë mënyrë po krijojmë një imazh të vendit të urbanizuar tej e tej, i cili është i dëmshëm edhe për natyrën, por edhe zhvillimin në përgjithësi.”
Zoti Miho thotë se këto ndryshime të reja pasojnë ato që ndodhën një vit më parë në kufijtë e Zonave të Mbrojtura që kanë sjellë pasoja.
“Vendimet e qeverisë që çuan në zvogëlimin e Zonave të Mbrojtura kryesisht në zonat bregdetare, në Butrint, në zonën e Vjosë -Nartës, në zonën e Karavastasë etj. Dihej që atëherë që këto ndryshime ligjore nuk kishin qëllim përforcimin e sistemit të mbrojtjes, por përkundrazi, lejimin e zhvillimit të bizneseve brenda tyre. Menjëherë sa dolën vendimet e qeverisë në këto zona ndërhyhet për të ndërtuar, për të investuar. Thuhet për qëllime turistike, por ky lloj turizmi nuk mbron natyrën, është i paqëndrueshëm. Përkundrazi, krijon shqetësime në zonën përreth, në prishjen e biodiveristetit, habitateve, por edhe për vetë njeriun, për vetë zonën zhvillimin e saj kjo mënyrë e investimit që bëhet, sidomos ajo që shohim në zonë e Manastrit, por jo vetëm, është në kundërshtim me rregullat e mbrojtjes së natyrës”.
Edhe Zydjon Vorpi i organizatës për mbrojtjen e natyrës PPNEA e cila e ka paditur në gjykatë me disa organizata ndryshimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura që ndodhi një vit më parë thotë se një rishikim i ri është me mjaft pasoja.
“Tashmë pritet që të prishen edhe zona të tjera. Praktikisht po tentohet të legjitimohet ajo që u fillua në mënyrë të paligjshme në Nartë me Aeroportin e Vlorës që po ndërtohet brenda zonës së Mbrojtur. Ligji i ri i hap rrugën këtyre lloj zhvillimeve të ndodhin në çdo zonë të Mbrojtur duke zhbërë njëherë e përgjithmonë vlerën e këtyre zonave. Ndryshimet e pritshme ligjore legjitimojnë ndërhyrje që bien ndesh me direktivat europiane për mbrojtjen e natyrës, thotë Vorpsi.
Turizmi në Shqipëri, sidomos këtë vit, shënoi prurje të larta turistike në mbi 9,5 milionë vizitorë dhe zoti Miho e vlerëson zhvillimin e këtij sektori. Por , thotë ai modelet kaotike të zhvillimit nuk duhet të vijojnë.
“Asnjë nga ne nuk kundërshton të gjitha përpjekjet, qoftë të qeverisë dhe të gjithë aktorëve në vend, për të zhvilluar turizmin sepse është një potencial i madh që ne si vend mund ta ofrojmë edhe për të siguruar një mirëqenie, punësim etj. Por kjo nuk mund të bëhet pa e menaxhuar turizmin në drejtime të tilla, nga e cila përfiton gjithë shoqëria. Jo individët që investojnë, që shesin vila dhe që ndërtojnë si në “pronën e babait”. Nuk është ky turizmi aq më tepër, kur kjo bëhet në kurriz të Zonave të Mbrojtura. Ne kemi krijuar një infrastrukturë të madhe nga Velipoja deri në Ksamil në gjithë këto vite që është bërë në mënyrë kaotike jo me plane të mirëfillta urbanistike. Të ndërhysh akoma në këtë vijë bregdetare me ndërtime është jashtë kapaciteteve të mundshme që vetë vija bregdetare afron.”
Institucionet, thotë më tej zoi Miho, pak pyeten për këto ndryshime dhe qarqet akademike dhe shkencore janë pak të angazhuara.
“Në përgjithësi në aspektin institucional pak diskutohet për këto vendim-marrje. Këtu institucionet duhet të pyeten për këto ndryshime por edhe vetë institucionet duhet të jenë më aktive.”
Kryeministri shqiptar Edi Rama pohoi pak ditë më parë se qeveria është në fazën e rishimimit të Zonave të Mbrojtura.
Në një fjalim mbajtur në ceremoninë e një konkursi për një qendër infomimi për lumin Vjosa zoti Rama tha se rishikimi lidhet me kërkesën e një numri kryetarësh bashkish.
“Sot, ne jemi në një fazë rishikimi të zonave të mbrojtura që vijnë si rezultat i një kërkese të vazhdueshme këmbëngulëse të një numri të konsiderueshëm kryetarësh bashkish, të cilët janë të vetëdijshëm për nevojën e konsolidimit të natyrës, por të cilët janë natyrshëm me ambicie dhe nën presionin e madh për zhvillim ekonomik dhe social. Dhe kombinimi i këtyre të dyjave është një domosdoshmëri”.
Pamjet e Ksamilit dhe shumë zonave në bregdetin jugor po flasin për shtrirjen e ndërtimeve intensive që po cënojnë peisazhe natyrore dhe peisazhe shkëmbore mijeravjeçare.
Disa kryetarë bashkish janë dënuar dy vitet fundit apo janë në hetime lidhur me vendim-marje ndërtimesh në zonat bregdetare.
Vetëm në Sarandë mbi 20 zyrtarë të administratës, kryesisht të urbanistikës, hipotekës dhe inspektoriateve ndërtimore, janë arrestuar nën dyshimet për shpërdorim detyre me urdhër të Prokurorisë së Sarandës dhe Prokurorisë së Posaçme.(VOA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.